Prishtina merr një pikë në Mitrovicë
Derbi ndërmjet rivalëve të vjetër Trepçës dhe Prishtinës ka përfunduar pa fitues. Ndeshja ka përfunduar me rezultat të barabartë 0:0 në një lojë të plogësht e me pak aksione sidomos në pjesë e parë.
Pjesa e dytë e këtij takimi ishte më e mirë. Të parët që rrezikuan portën ishin mysafirët të cilët në minutën e 49’të nëpërmjet Faton Fejzullahut rrezikuan portën e portieri Suad Pertinac, por pa sukses.
Pas këtij rasti, shans të mirë për të kaluar në epërsi kishin edhe vendasit respektivisht sulmuesi në formë Berat Hyseni i cili nga afërsia nuk arriti ta devijojë topin në portën e Flamur Nezirit. Të dyja skuadrat tentonin që ta gjejnë rrugën deri te goli i epërsisë por ishin të pasuksesshme.
Me këtë pikë Prishtina, rikthehet lidere e Superligës me 30 pikë të tubuara një më shumë sesa Drita që ka një takim më pak të zhvilluar. Kurse Trepça pas 15 xhirove ka arritur të tubojë vetëm 19 pikë.