Prishtina nderon heronjtë

Për nder të Ditëve të Krenarisë-Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, të cilën e ka organizuar Komuna e Prishtinë bashkërisht me Shoqatat e dala nga lufta, të enjten është mbajtur Akademia Përkujtimore nën patronatin e kryetarit të Prishtinës, dr. Isa Mustafa.
Kryetari Mustafa me këtë rast tha se pa luftën e dëshmorëve dhe pa sakrificën e popullit, por njëkohësisht edhe pa ndihmën e miqve ndërkombëtarë, çlirimi do të ishte një betejë se kushedi se si do të përfundonte.
“Prandaj, atyre që e derdhën gjakun për lirinë tonë, do t’u shprehim respektin e përhershëm gjeneratë pas gjenerate”, tha kryetari Mustafa.
Kryetari Mustafa tha se qytetarët e Kosovës kanë shpresa që e ardhmja e tyre në liri të jetë më e mirë, të jetojnë në mirëqenie dhe të jenë të sigurt.
“Sot, po ashtu shprehim synimet tona për ndërtimin e qytetit të Prishtinës dhe pjesëve rurale për të kënaqur sa më shumë qytetarët tanë, si vazhdimësi të veprës së madhe të atyre që luftuan për çlirimin e vendit tonë. Në këtë mënyrë do të arrijmë të shtojmë edhe vullnetin dhe dëshirën tonë që, liria të ketë më shumë kuptim”.
Duke folur për Prishtinës Mustafa përmendi ndryshimet që janë bërë.
“Dikur Prishtina ishte një qytet i zymtë pa jetë. Sot kemi një qytet të ri me entuziazëm të ri, një qytet i cili gjatë ditëve të punës ka dyfish më shumë banorë se sa të shtunën dhe të dielën. Kemi shkolla të reja, rrugë të reja, qendra të mjekësisë familjare, por edhe po ruajmë e po kultivojmë trashëgiminë kulturore”.
Pavarësisht vështirësive që ka vendi, kryetari Mustafa tha më tej se jemi të përkushtuar që Prishtina të bëhet më e bukur dhe më bashkëkohore.
“Prishtina do të ketë gjelbërim, do të ketë sheshe me emrat e të mëdhenjve tanë, Ibrahim Rugova, Zahir Pajaziti e Adem Jashari. Këto sheshe do të kultivojnë simbolikën e lirisë, sakrificës e pavarësisë”.
Në fund, kryetari Mustafa tha se pavarësisht sfidave, puna nuk do të ndalet që Prishtina të transformohet në një qytet dhe kryeqytet që do të ofrojë kushte të mira jetese për qytetarët, për shumë përfaqësi diplomatike të jashtme, të jetë qendër e mirëfilltë universitare e administrativë, dhe një qendër e zhvilluar dhe tërheqëse për bizneset, njofton Zyra e Shtypit të Komunës së Prishtinës./Indeksonline/