Salzburg, dy shqiptarë kapen me drogë
Dy shqiptarë janë kapur me 506 gramë kokainë në trenin që po udhëtonte në relacionin Salzburg-Rosenheim.
Policia gjermane, pas hetimeve paraprake, ka konstatuar se drogën e dispononte një shtetas shqiptar që e mbante në dy pako, ndërsa më pas, gjatë kontrollit është arrestuar edhe bashkudhëtari tjetër në të njëjtin vagon, që po ashtu ishte shtetas shqiptar.
Policia theksoi se ata kishin mohuar se njiheshin mes vete, mirëpo pas verifikimit është konstatuar se ata të dy kishin nxjerrë biletat në të njëjtën orë dhe në të njëjtin stacion në Salzburg.
Ndaj tyre menjëherë janë ngritur masat e paraburgimit me akuzën për trafikim të drogës.
Autoritetet gjermane nuk dhanë hollësi mbi identitetin e dy të arrestuarve, por vetëm kanë njoftuar se ata janë dy të rinj të moshave 26 dhe 29 vjeç nga Shqipëria dhe pa qëndrim të rregulluar në Gjermani.