E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja e grindjes me Greqinë, prioritet për partitë në Maqedoni

Nga Express më 21 maj 2011 në ora 14:30

Zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë, qëndron si prioritet në programet zgjedhore të të gjitha partive politike në Maqedoni. VMRO-DPMNE në pushtet shprehet e gatshme për vazhdimin e negociatave, por thotë se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të imponuar.

Partitë opozitare, nga ana tjetër, thonë se zgjidhja duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Madje, disa prej tyre paralajmërojnë zgjidhjen që në 100-ditshin e parë të qeverisjes, kuptohet nëse fitojnë mandatin.

Ministri aktuale i Punëve të Jashtme nga radhët e VMRO DPMNE-së, Antonio Miloshoski, thotë se pas zgjedhjeve parlamentare të 5 qershorit do të ketë intensifikim të bisedimeve rreth çështjes së emrit me palën greke, por Maqedonia, sipas tij, në asnjë moment nuk do të pranojë zgjidhje të imponuara.

Pavarësisht negociatave, zgjidhja sipas Miloshoskit, duhet të verifikohet në referendum nga ana e qytetarëve të Maqedonisë.

“Qeveria e VMRO DPMNE-së, sikur deri më tani, ashtu edhe në të ardhmen, nuk do të pranojë zgjidhje të imponuara. Ne, si shtet që jemi të prekur nga ky problem, si në aspektin e integrues, ashtu edhe në atë nacional, konsiderojmë se duhet ta themi fjalën tonë për zgjidhjen e këtij problemi iracional”, tha Miloshoski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›