Përforcohet Drita

Drita i ka bërë përforcimet e para të sezonit. Skuadra gjilanase të hënën ka nënshkruar me tre futbollistë. Bëhet fjalë për ish sulmuesin e Gjilanit, Ismet Ramushin, mesfushorin e Kosovës së Vushtrrisë, Ismet Cakën dhe mesfushorin e Flamurtarit, Emir Ramën. Treshja ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me ekipin bardh e kaltër.
“Kemi nënshkruar me Ramushin, Cakën e Ramën. Po mundohemi ta ndërtojmë një ekip konkurrues. Presim edhe përforcime tjera që ta kompletojmë ekipin për sezonin e ardhshëm”, ka thënë trajneri i ekipit gjilanas, Arbnor Morina, për Express.
Morina, i cili zëvendësoi Bekim Isufin në postin e trajnerit, njoftoi se Drita është duke i kompletuar kontratat edhe me lojtarët që e veshën fanellën e këtij ekipi gjatë sezonit të kaluar. Përveç Ramushit, Cakës e Ramës, Drita pritej ta kompletonte edhe transferimin e dy ish futbollistëve të Lepencit, Besmir Xhikës dhe Xhevdet Shabanit.