Prishtina pret përgjigjen për kodin telefonik

Nuk ka ende konfirmim për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e telekomunikacionit. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se janë në pritje të përgjigjes nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, rreth pranimit apo jo nga Serbia të një marrëveshjeje të propozuar nga vetë BE-ja, si ndërmjetëse e bisedimeve.
Marrëveshja për telekomunikacionin mes Kosovës dhe Serbisë, e propozuar nga Bashkimi Evropian, përmes të cilës parashihet që Kosova të marrë kodin telefonik shtetëror nga Organizata ndërkombëtare e Telekomunikacionit, nuk dihet ende nëse do të pranohet nga autoritetet serbe.
Ndonëse dje ishte afati i fundit që Serbia t’i jepte përgjigje BE-së rreth kësaj çështjeje, autoritetet në Prishtinë ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim.
Dren Zeka këshilltar i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, tha për Radio Kosovën se janë në pritje të njoftimit zyrtar nga BE-së.
“Këto ditë nuk ka pasur ndonjë takim në Bruksel për çështjen e telekomit, vetëm është pritur pasi dje ka qenë afati i fundit që Serbia ta konfirmon karshi BE-së se a e pranon draftin e fundit të marrëveshjes së propozuar nga BE-ja. Ne ende nuk kemi ndonjë njoftim nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës i këtij procesi. Ne ende nuk e dimë se këtë marrëveshje a e ka pranuar apo jo Serbia. Mbetet në ditët në vijim të shihet”, tha Zeka.
Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së: Suedia, Italia ose Austria dhe njëkohësisht pritet normalizim në fushën e telekomunikacionit.
Zeka thotë se marrëveshja do të jetë e favorshme për Kosovën. Ai sqaron se me këtë marrëveshje parashihet edhe një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë:
“Këto janë më tepër spekulime. Serbia do të ketë një operator të limituar, të përkohshëm, që do të jetë i komunitetit serb të Kosovës e jo i shtetit të Serbisë. Shteti i Serbisë do t’i tërheqë operatorët ilegalë nga Kosova, kështu e parasheh marrëveshja”, tha Zeka.
Ndryshe takimi i radhës mes kryeministrave Thaçi e Daçiq, i paraparë të mbahet më 27 gusht, varet kryesisht nga rezultatet e këtyre negociatave për telekomunikacionin./Indeksonline/