Rusia përgënjeshtron arritjen e marrëveshjes për Sirinë

Kremlini ka përgënjeshtruar lajmin se presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka arritur marrëveshje me Arabinë Saudite, për ta zvogëluar mbështetjen për regjimin në Siri, në këmbim për stimulime ekonomike, përfshirë edhe një marrëveshje të volitshme për armatim.
Agjencia Reuters ka raportuar se shefi i inteligjencës së Arabisë Saudite, Princi Bandar këtë propozim ia ka bërë Putinit në bisedat e javës së kaluar në Moskë.
Por, këshilltari për politikë të jashtme i Rusisë, Jurij Ushakov tha sot se kurrfarë marrëveshje nuk është diskutuar në “detaje”.
Rusia është njëri nga mbështetësit më të fuqishëm të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad.
Sipas raporteve të mediave, Princi Bandar ka propozuar që Arabia Saudite të blejë 15 miliardë dollarë armatim nga Rusia dhe ka siguruar se gazi i Arabisë Saudite nuk do ta rrezikojë pozitën e Rusisë si furnizuesi kryesor i gazit në Evropë, transmeton Rel.
Në këmbim, Arabia Saudite ka shprehur dëshirën që Moska të pajtohet që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mos e bllokojë asnjë rezolutë për Sirinë./Indeksonline/