Akuza: Fatos Klosi e Agim Shehu, dëshmitarë të radhës
Fatos Klosi, Agim Shehu, Halit Shamata, Anibal Basha e Bashkim Gazidede janë personat e thirrur nga gjykata për të dëshmuar në seancën e radhës. Në listë vazhdon të qëndrojë emri i Gazidedes, i cili ka humbur jetën disa ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë dhe të pashërueshme. Prokurori i çështjes deklaroi se do paraqesë para gjykatës certifikatën e vdekjes për Gazideden, ndërsa do vijojë pyetjen e dëshmitarëve të tjerë. Por, ndërkohë që dëshmia e tyre pritet të dëgjohet një seancë më pas, dje togat e zeza kanë dëgjuar për orë të tëra dëshmitë e 8 personave, njërit prej të cilëve iu lexua deklarata pasi ishte në emigracion. E para që ka hapur serinë e dëshmitarëve ka qenë Alma Kristopulli, vajza e njërit prej personave të rrëmbyer, Ziso Kristopullit, e cila rrëfeu se nuk kishte pasur dijeni mbi rrëmbimin e të atit dhe se e kishte mësuar kur ai ishte liruar dhe shkoi ta takonte në Qytetin Studenti, ku ajo dhe motra qëndronin pasi ishin me studime. Ajo u shpreh se babai ishte i tronditur, ndërkohë që u kishte treguar çfarë i kishte ndodhur. “Babai ishte i tronditur, ishte keqtrajtuar në Lezhë nga punonjësit e SHIK-ut, ndërkohë që shenjat e dhunës i kishte ende në trup”, - u shpreh dëshmitarja, duke shtuar se “një makinë me ngjyrë të errët ndodhej poshtë godinës sonë kur dola në dritare. Babai më tha që e kishte marrë në telefon Sazani, i cili i kishte thënë se do e shoqëronin për në KLSH në Gjirokastër. Më pas e kanë nisur drejt Tiranës për të përfunduar në Lezhë, ndërkohë që deri te vendi e kanë çuar me kokë të mbuluar”. Sipas të bijës, babai ditën tjetër u shoqërua për në shtëpi nga motra tjetër, ku më parë shkuan në Livadhja tek të afërmit dhe më pas në Sarandë. Ndërkohë që prej presioneve biznesi u falimentoi dhe Ziso shkoi në Athinë tek e motra nga frika. Më pas, radhën për të dëshmuar e pati Agron Musaraj, ish-ministër i Brendshëm, i cili mohoi faktin se këta persona kanë dashur ta vrasin apo e kanë kërcënuar. Ai pohoi se kishte bërë të pamundurën në funksionin e ministrit të gjente Remzi Hoxhën, pasi familjarët e tij i kishin thënë se ishte rrëmbyer nga policia. “Verifikova në vend dhe i sigurova familjarët se policia as kishte ndaluar dhe as arrestuar Remzi Hoxhën”, - sqaroi Musaraj, duke shtuar se “janë përralla ato që thuhen se këta kanë dashur të më vrasin mua”.
Rrëmbimi
Seanca ka vijuar me dëshminë e shoferit të Arben Sefgjinit, i cili deklaroi se nuk mbante mend, ndërkohë që prokurori e kundërshtoi duke u shprehur se ky kishte deklaruar se në Sarandë ka shkuar me shefin e tij, Sefgjinin, dhe 2 persona të tjerë, ku kanë marrë një person dhe e kanë çuar në Lezhë. Gjithashtu, dëshmitari ka deklaruar se ka dëgjuar se nga godina e bazës së SHIK-ut ishte hedhur një person nga dritarja. Ndërsa shoferi tjetër, Besim Datja, i cili shoqëronte Avni Koldashin, deklaroi se ai dhe shefi i tij kanë marrë në Sarandë Ziso Kristopullin, duke e çuar në Lezhë. “Ziso nuk është keqtrajtuar nga Koldashi, ndërkohë që kur iu afruam Kamzës, ndërruam targat dhe i vumë private. Gjithçka u bë me urdhër”, - shtoi shoferi i Koldashit, ndërkohë që në dëshminë e parë ka deklaruar se “për tre turne ka vëzhguar Remzi Hoxhën, të cilit nuk ia dinte emrin, por që ia kishte mësuar më vonë nga shokët e tij”. Por, më interesante ka qenë një dëshmi e lexuar nga prokurori Hana, e shtetasit Meleq Frashëri, i cili ka dhënë shpjegime për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, ish-pronarit tek i cili punonte. Sipas tij, ka qenë në repart kur tre persona rrëmbyen shefin e tij. E kapën prej krahu dhe e futën në makinë. Deklaruan se ishin të policisë, ndërkohë që nga verifikimet e bëra, këtij shtetasi nuk i ka rezultuar se shoqërimi ishte bërë nga policia. Më pas, dy persona të tjerë kanë shkuar dhe kanë bërë kontroll në makinën e biznesmenit Hoxha, duke marrë çdo dokument që ndodhej brenda pa ndonjë procesverbal. Më pas, dëshmitari i ka ndjekur me makinë derisa i kanë humbur nga sytë afër qendrës. Lidhur me rrëmbimin e Avdyl Loshajt, para gjykatës dëshmoi një ish-punonjës në Qytetin Studenti, i cili kishte qenë mik me të fejuarën e tij, Dhurata Sina. Sipas dëshmitarit, Sadik Vata, rrëmbimin e Loshajt ia ka thënë e fejuara e tij, e cila kishte qenë e pranishme kur e kanë marrë. I kanë thënë që kanë qenë të policisë. Sipas dëshmitarit, pasi e kanë liruar, ky e ka ndihmuar për të kaluar kufirin drejt Kosovës në mënyrë të paligjshme.
Agron Musaraj
“Verifikova në vend dhe i sigurova familjarët se policia as kishte ndaluar dhe as arrestuar Remzi Hoxhën. Janë përralla ato që thuhen se këta kanë dashur të më vrasin mua”
Alma Kristopulli
“Babai ishte i tronditur, ishte keqtrajtuar në Lezhë nga punonjësit e SHIK-ut, ndërkohë që shenjat e dhunës i kishte ende në trup”
Besim Datja
“Ziso nuk është keqtrajtuar nga Koldashi, ndërkohë që kur iu afruam Kamzës, ndërruam targat dhe i vumë private. Gjithçka u bë me urdhër”
Meleq Frashëri
“Isha në repart kur tre persona rrëmbyen Remziun. E kapën prej krahu dhe e futën në makinë. Deklaruan se ishin të policisë, ndërkohë që nga verifikimet e bëra, nuk ka rezultuar se shoqërimi ishte bërë nga policia”
Sadik Vata
“Rrëmbimin e Avdyl Loshajt ma tha e fejuara e tij, Dhurata Sina. E kishin rrëmbyer në prani të saj. Pasi është liruar dhe më ka treguar për dhunën e ushtruar ndaj tij, e ndihmova të largohej drejt Kosovës”