E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina sfidon Trepçën

Ndeshja derbi e xhiros së dymbëdhjetë e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Mitrovicë, ku do të ballafaqohen dy rivalët e vjetër, Trepça dhe Prishtina.

Njëherësh, ky takim pritet të tubojë numër të madh të shikuesve. Ndërsa, edhe tifozët prishtinas, Plisat, kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt Mitrovicës në mënyrë të organizuar, për ta përkrahur klubin e tyre në këtë sfidë mjaft të vështirë. Mitrovicasit aktualisht gjenden në pozitën e parë në tabelën e klasifikimit, dhe po kalojnë nëpër një formë të shkëlqyeshme.

Xehetarët do të përpiqen që me çdo kusht ta mposhtin Prishtinën, për ta ruajtur edhe më tej pozitën e parë në tabelë, ngase edhe luajnë para tifozëve të tyre.

Kryetrajneri i Trepçës, Hysni Maxhuni, tha se skuadra e tij do të aplikojë lojë të hapur për ta kënaqur publikun e pranishëm. Ai theksoi se ekipi i tij dëshiron të fitojë në ballafaqim me kryeqytetasit, për të dëshmuar se rezultatet e deritanishme të Trepçës nuk janë arritur rastësisht.

Sikur që përgatitemi për çdo ndeshje, ashtu jemi përgatitur edhe për derbin ndaj Prishtinës. Pra, jo diçka më ekstra. Prishtina ka lojtarë cilësorë në skuadër, por po kalon nëpër një krizë. Megjithatë, unë pres përqendrim dhe angazhim maksimal nga futbollistët e mi në këtë takim, tha Maxhuni për Express.

Do të jetë një derbi i mirë. Ne do të aplikojmë lojë të hapur për ta kënaqur publikun. Me aksione të shpejta do të përpiqemi të shënojmë gola. Duam të fitojmë, dhe të dëshmojmë se rezultatet e deritashme të Trepçës nuk kanë qenë të arritura rastësisht. U bëj thirrje Torcidës dhe Plisave të anojnë në mënyrë fer dhe korrekte, dhe të krijojnë atmosferë impozante në tribuna, deklaroi Maxhuni.

Në anën tjetër, Prishtina nuk e ka nisur mirë kampionatin dhe gjendet në pjesën e poshtme të tabelës. Megjithatë, bardhekaltrit duket se para duelit me Trepçën janë më të motivuar, pasi në xhiron e fundit fituan si mysafirë të Gjilanit, për të vazhduar më pas me një fitore tjetër të mërkurën në shtëpi ndaj Gjakovës, të vlefshme për Kupën e Kosovës.

Prandaj, trajneri i prishtinasve, Skender Shëngyli, thotë se skuadra e tij është komponuar tani dhe se synon të kthehet me pikë nga Mitrovica.

Në këtë ndeshje do të mungojnë Alievski dhe Limani, shkaku i kartonëve. Trepça do të ketë përparësi, pasi luan si vendas. Megjithatë, Prishtina do të mundohet ta nxjerrë një rezultat pozitiv. Për ne është i favorshëm edhe barazimi eventual. Prishtina ka arritur të kthehet në formë pas këtyre dy ndeshjeve të fundit. E dimë që është një ndeshje e vështirë. Trepça ka ekip cilësor. Prandaj, unë besoj se të dyja ekipet do të tregojnë lojë të bukur për publikun, ka thënë Shëngyli.

Pas njëmbëdhjetë xhirosh të zhvilluara, Trepça prin në tabelën e klasifikimit me 23 pikë të tubuara, kurse Prishtina është e nënta me 13 pikë.

Raiffeisen Superliga
Xhiroja e 12-të

E diel
Gjilani Hysi
Kosova (V) Besa
Trepça Prishtina
Ferizaj Flamurtari
Vëllaznimi KEK-u
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›