Mancini akuzohet për dhunim

Mesfushori Amantino Mancini është duke u hetuar nga zyra e prokurorit publik në Milano për sulm seksual dhe shkaktimin e lëndimeve ndaj një femre braziliane, e angazhuar në muzikë dhe industrinë televizive në shtetin e saj.
Ngjarja thuhet se kishte ndodhur në Milano, në natën mes 8 e 9 dhjetorit të vitit të kaluar, kur Mancini kishte shfrytëzuar gjendjen e dehur të femrës duke e detyruar të bëjë disa vepra seksuale që i shkaktuan asaj lëndime.
Femra 30 vjeçe, të cilën e takoi gjatë një ndeje të organizuar nga ylli i atëhershëm i Milanit, Ronaldinho, shkoi te qendra për sulme seksuale në spitalin Mangiagalli për ta paraqitur incidentin.
Përveç Mancinit, prokuroria është duke hetuar edhe 56 vjeçarin Geraldo Eugenio Do Nascimento, i cili thuhet se ishte munduar të mashtronte hetuesit, duke u dhënë informacione të gabuara. Mirëpo, Mancini - i cili gjatë afatit kalimtar të janarit iu bashkua Atletico Mineiros në Belo Horizonte - ka mohuar akuzat ndaj tij.
“Është një farsë, kisha pëlqimin e saj”, ishin fjalët e tij të para të vetëmbrojtjes. “Jam shumë i qetë dhe me ndërgjegje të pastër, por në të njëjtën kohë më vjen keq për familjen time që janë gjëja më e rëndësishme. Jam i mërzitur për ta, por për të tjerat jam i qetë. Gjatë karrierës time kurrë nuk kam krijuar ndonjë rast”, shtoi Mancini i cili bëri emër në futbollin italian, ku përveç Interit luajti edhe për Venezian, Romën dhe Milanin.
“Dua të shlyej këtë farsë dhe këto akuza. Jam shumë i dëshpëruar nga lajmet që janë publikuar në mediet italiane. Në 13 vjet të karrierës, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë rast. Jam futbollist i cili kurrë nuk ka pasur probleme jashtë fushës dhe që brenda saj ka qenë gjithmonë një shembull. Sot jam shumë i mërzitur për familjarët e mi, por këto akuza nuk do të ndikojnë aspak në paraqitjet e mia në fushë, mbetem i qetë”, përfundoi ai.