Prishtina "sjell" Manastirin në Elbasan
Ministria e Kulturës dhe e Sporteve të Kosovës ka mundur që të sjellë një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare në qytetin e arsimit, në Elbasan. Ekspozita "100-vjetori i Kongresit të Manastirit", e përgatitur nga Muzeu i Prishtinës, u prezantua dje në mbrëmje në Shtëpinë e Kulturës në Elbasan, si një bashkëpunim mes bashkisë së këtij qyteti dhe Muzeut të Kosovës. Ajo vjen në kuadër të përvjetorit jubilar të unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, historianë, intelektualë, pedagogë të universitetit "Aleksandër Xhuvani", përfaqësues të shoqatave "Elbasani", "Kosova", "Çamëria", artistë, etj. Vend kryesor në ekspozitë zinte organizimi, mbajtja, vendimet dhe rëndësia kulturore, arsimore e historike e Kongresit të unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe, i cili nisi më 14 nëntor të vitit 1908 në Manastir. Në ekspozitë u prezantuan dokumente mbi historikun e shkollës shqipe para dhe pas Kongresit të Manastirit dhe mbi të gjitha hapat dhe kontributi i shkollës shqipe në Kosovë, për të cilën nuk kanë munguar as sakrificat e mësuesve nga qyteti i Elbasanit. Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, vlerësoi si domethënës faktin që ekspozita u hap në Elbasan, qytet me kontribut për zhvillimin e gjuhës shqipe, prej nga ka dalë një prej baballarëve të saj, Kostandin Kristoforidhi dhe ku një vit pas Kongresit të Manastirit, u mblodh Kongresi i Elbasanit e në vigjilje të festimit të 100- vjetorit të çeljes së shkollës Normale, sot Pedagogjike.