Nikolla Zoraqi, dy mbrëmje në kujtim të kompozitorit
Ishte veç një djalosh, kur në Tiranën që gjëmonte nga lufta shtrëngonte fort violinën. E kërkoi me ngulm edhe në rrënojat e shtëpisë së bombarduar, një vit para se të vinte liria. E donte muzikën. Duket se fati i kishte rezervuar një jetë mes notash. Nga ai djaloshi që mësonte violinë, Nikolla Zoraqi u bë një nga kompozitorët më prodhimtarë shqiptarë. Nëse vdekja nuk do ta kishte marrë para kohe, sot do të mbushte 80 vjeç. Ndoshta do të ishte sërish mes partiturash. Por të tilla ka lënë plot. Talentin e tij e shtriu në të gjitha fushat e muzikës. Ky përvjetor është edhe një kujtim më shumë. Kujdesi ka marrë edhe formë institucionale. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do t‘i kushtojë gjatë këtij viti dy mbrëmje të veçanta. Baleti "Gjenerali", mbështetur mbi veprën e Ismail Kadaresë dhe me muzikë të tij do të ringjitet në skenë në muajin mars. Koreografia është realizuar nga një prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, Agron Alisë. Ndërsa në maj, një mbrëmje simfonike me veprat e tij do të rikthejë dy instrumentistë të njohur shqiptarë. Violinisti Tedi Papavrami dhe violinçelisti Renato Ripo do të interpretojnë në datën 10 maj në mbrëmjen simfonike "Zoraqi". Në fakt ka shumë vepra për të kujtuar. Pjesa më e madhe e kolegëve të tij, artistë të njohur, në cilësimet që i bëjnë kompozitorit nuk lënë pa përmendur se Nikolla Zoraqi preku të gjitha gjinitë muzikore. Kënga, romanca, pjesët instrumentale, deri te baleti, opera, simfonia, morën nga muza e tij. "Madhështia, monumentalizmi, lirika e thellë plot patos, dramatika e ngjeshur, mesazhi në dimensione të gjera i veprave të tij e fryma thellësisht kombëtare përbëjnë disa nga tiparet më karakteristike të përmbajtjes së veprave të tij dhe të individualitetit të tij krijues", e ka përshkruar në kujtimet e tij dirigjenti Mustafa Krantja. Zoraqi i mëshoi shumë krijimit të një tradite të muzikës shqiptare. I dha asaj një karakter të theksuar kombëtar. Me këtë ndjenjë veshi edhe disa nga figurat e rëndësishme kombëtare. Si pasojë, lindën veprat më të mira si baletet "Cuca e maleve", "Shote e Azem Galica", opera "Komisari". "Muzika e tij ishte e impenjuar në problemin e madh të krijimit të një muzike me karakter të theksuar kombëtar në krijimin e karaktereve shqiptare e të figurave të rëndësishme kombëtare. Kjo ishte një detyrë e madhe patriotike për muzikën tonë. Nikolla e konsideronte këtë çështje si një nga idealet e tij krijuese, të nisur nga paraardhësit, si një nevojë të domosdoshme për të plotësuar mungesën e asaj tradite që vendet e tjera e kishin arritur shekuj më parë", thekson Albert Paparisto. Rreth tridhjetë këngë e romanca, shumë përpunime këngësh popullore janë krijuar prej tij që në vitet e studimit në Moskë, ndërsa është vlerësuar me disa çmime për krijimtarinë e tij. Nikolla Zoraqi u lind në Tiranë më 24 janar 1929. Edukimin e parë muzikor e mori në familje dhe me Umberto Rampin, i cili në atë kohë drejtonte Orkestrën Simfonike të Radio Tiranës, nga i cili mori mësime violine. Në vitet 1946-1950 kreu liceun artistik "J. Misja" në Tiranë. Pas kësaj punoi pranë kësaj shkolle si pedagog për pak kohë. Në mesin e vitit 1950 kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, si violinist dhe së fundmi si asistent dirigjent i orkestrës, që drejtohej nga G. Avrazi, ku punoi deri në vitin 1958. Në këtë kohë datojnë edhe krijimet e tij të para. Në vitin 1958 filloi studimet në Moskë në Konservatorin P. I. Tchajkowsky, por u kthye në vitin 1961 pa i mbaruar dot. Punoi pranë Ministrisë së Kulturës, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore dhe si shef i redaksisë së muzikës në Radio Tirana. Në vitin 1971 del në profesion të lirë si krijues deri në fund të jetës së tij. Mes krijimeve të shumta, edhe Zoraqi pa vepra që të shfaqeshin, të kritikoheshin, e më pas të ndaloheshin. Të tilla kanë qenë baleti "Ritme dhe ndjenja punëtore" me koreografi të Agron Aliajt, 1970; "Historia e një kënge", rapsodi koreografike po nga Agron Aliaj, 1971. Veprat e tij janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga orkestra e TOB-it, e RTSH-së, orkestra e Akademisë së Arteve, e Liceut Artistik, nga trupat e ndryshme korale dhe instrumentale profesioniste apo amatore, si dhe në vende të tjera me orkestrat apo muzikantët shqiptarë në Greqi, Turqi etj.