E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina synon çdo trofe

Kampioni i Kosovës, Prishtina me seriozitet po i mbush bateritë për edicionin e ri, në të cilin synon të dalë sërish e para. Vetë trajneri Ejup Mehmeti – Kapiti është i bindur se do ta arrijë këtë objektiv, në të kundërtën thotë se do të japë dorëheqje. Madje, ai beson se trofeun e parë me bardhekaltrit do ta fitojë para fillimit të kampionatit, kur Prishtina do ta kërkojë Superkupën e Kosovës përballë Trepçës ’89.

Edhe pse kampionatin e kaluar e përfundoi në mënyrën më të mirë, duke u stolisur me titull të kampionit, Prishtina nuk pushoi gjatë. Përveçqë i filloi e para përgatitjet për edicionin e ri, i cili nis më 18 gusht, bardhekaltrit herët filloi t’i konsolidojë radhët e veta.

Kryeqytetasit fillimisht angazhuan Ejup Mehmetin – Kapitin në krye të shtabit teknik, e më pas u përforcua edhe me Argjend Malajn (KEK), Florim Bërbatovcin (Hysi), Leondrit Marajn (Nurnberg), Kushtrim Mushicën (Vëllaznimi), Liridon Kukajn (Trepça ’89) e Labinot Ibrahimin (Ulpianë). “Janë përforcime të qëlluara”, thotë ai.

Mehmeti – Kapiti, i cili për shumë vite jetoi dhe veproi në Gjermani duke punuar në disa klube të ndryshme gjermane, është i kënaqur edhe me mbarëvajtjen e përgatitjeve me skuadrën e tij të re.

“Në muajin e shenjtë të Ramazanit disi patëm pak probleme, sepse numri i futbollistëve që agjëronin ishte goxha i madh, por me kalimin e kohës, numri u redaktua në tre apo katër, kështu që sot është gjithçka në rregull”, theksoi ai.

Kapiti thotë se ka ardhur në Prishtinë për ta ndihmuar këtë skuadër që ta mbroj titullin e kampionit, të cilin e fitoi në edicionin e kaluar. Ai është i bindur se do ta arrijë objektivin.

“Fakti që kam ardhur te një klub kampion, m’i vështirëson edhe mua punët si trajner, sepse bordi i klubit, e po ashtu tifozët duan që ta mbrojmë titullin. Ndërsa unë sot jam shumë i bindur se do ta arrijmë qëllimin, duke shpresuar paksa edhe në ndihmën e fatit, sepse edhe ekipet e tjera luajnë futboll sikur ne. Nëse nuk e fitoi titullin, do të jap dorëheqje”, ka thënë ai.

Në fakt, sfida e parë e rëndësishme e Kapitit në krye të Shtabit Teknik të Prishtinës është 11 gushti, kur skuadra e tij, si kampione, do ta kërkojë Superkupën e Kosovës përballë fituesit të Kupës, Trepçës ’89 – duel ky që edhe zyrtarisht e hap edicionin e ri.

Vetë Ejup Mehmeti – Kapiti beson se do ta nisë me trofe aventurën e tij të re në kryeqytetin kosovar. “Superkupën e Kosovës qysh tash e shoh në vitrinat tona”, përfundoi ai.

Ndeshjen e parë kampionale Prishtina do ta zhvillojë në kryeqytet, kundër Trepçës, e cila mirë është përforcuar gjatë kësaj vere.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›