Prishtina u bënë thirrje kandidatëve për kryetar: Mos i keqpërdorin institucionet publike

Komuna e Prishtinës, shpreh shqetësimin e saj me veprimet e disa kandidatëve të partive politike për kryetari komune, të cilët, sipas ekzekutivit komunal në kundërshtim më të gjitha normat ligjore, jo vetëm që kanë filluar fushatën elektorale shumë koha para fillimit zyrtar, por edhe po i keqpërdorin institucionet publike, duke i vizituar ato për nevoja të fushatës zgjedhore.
“Rasti i fundit është vizita e kandidatit të AAK-së për kryetar komune, Besnik Tahiri në Brigadën e Zjarrfikëseve , duke bërë kështu shkelje të ligjeve në fuqi në vend, pasi që po e shfrytëzon një institucion publik dhe shërbyesit civil për fushatë zgjedhore”, thuhet në një reagim të Komunës së Prishtinës.
Në këtë vizitë, Tahiri u premton zjarrfikësve kushte me të mira, ndërkohë që, sipas Komunës, ai harron se Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës, që nga 1 janari i këtij viti është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Komuna e Prishtinës, thekson se vitet e fundit kjo komunë ka investuar mjaft shumë për përmirësimin e kushteve në Brigadën e Zjarrfikëseve, duke filluar nga blerja e pajisjeve deri ndërtimi i objektit të ri në lagjen Kalabria, objekt ky i ndërtuar nga buxheti komunal dhe sipas standardeve ndërkombëtare. /Indeksonline/