Prishtina zyrtare kundër shkëmbimit të territoreve
Prishtina zyrtare hodhi poshtë mundësinë që të hyjë në biseda me Serbinë për shkëmbim territoresh, apo për autonominë e veriut të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me Serbinë mund të ketë vetëm bashkëpunim ndërshtetëror.
"Nuk do të ketë në asnjë rrethanë as shkëmbim territoresh, as autonomi e as biseda me Serbinë për çështjet e serbëve të Kosovës. Me Serbinë do të ketë vetëm partneritet ndër-shtetëror", u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë së vendit.
Komentet e kryeministrit Thaçi erdhën pas publikimit të raportit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën , i cili sugjeron tre zgjidhje të përfytyrueshme për veriun e Kosovës, që mund të arriheshin gjatë bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar.
Plani i Ahtisaarit, autonomia më e zgjeruar dhe shkëmbimi i territoreve, janë sipas ICG-së tri mënyrat se si mund të zgjidhej problemi i veriut të Kosovës.
Por ndërkaq Thaçi tha se për institucionet kosovare vlen vetëm Kushtetuta e Kosovës, ligjet e vendit dhe Plani Ahtisaari. Kreu i qeverisë tha se këto janë baza e fuqishme e shtet-ndërtimit kosovar. Plani i Ahtisaarit, sipas përfaqësuesve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, do të ishte zgjidhja më e mirë për veriun e Kosovës. Hulumtuesi në zyrën e ICG-së në Kosovë, Naim Rashiti, tha se lidhur me veriun Kosova duhet të negociojë me Serbinë për një formë të vetëqeverisjes - një formë të Ahtisarit plus, e cila nuk do të rrezikonte integritetin territorial të Kosovës.
Mundësia për shkëmbimin e pjesës veriore të Kosovës me pjesën e banuar me shqiptarë në Preshevë, apo krijimin e një autonomie më të gjerë për veriun e Kosovës, vlerësohet ndryshe në Beogradin zyrtar.
Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga i tërë territori i Kosovës, e aq më pak nga pjesa veriore e banuar me shumicë serbe.