Prishtina zyrtare nuk ndryshon mendje për EULEX-in

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës sërish janë takuar me diplomatët e Grupit të Kontaktit në Prishtinë për të diskutuar shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë, mirëpo as kësaj radhe nuk është arritur ndonjë marrëveshje.Sipas raporteve të mediave, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, janë takuar të mërkurën mbrëma me përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë dhe me përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Pieter Faith - por ata kanë mbetur pranë qëndrimit të mëhershëm se për Prishtinën zyrtare është i papranueshëm plani gjashtë-pikësh për të cilin janë dakorduar Beogradi dhe OKB-ja.
Jozyrtarisht mësohet se liderët kosovarë kanë potencuar se, "thelbin e këtij plani e përbëjnë kushtet e Beogradit për vendojen e EULEX-it në Kosovë.Po të mërkurën kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar edhe një herë vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të mos lëshuar pe para presionit të bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me planin 6 pikësh të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon. Thaçi ka thënë se bisedimet po vazhdojnë me partnerët ndërkombëtarë por ka shtuar se nuk do të ketë marrëveshje në dëm të Kushtetutës dhe tërësisë territoriale të Kosovës.