E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni:Raporti i BE-së,objektiv

Këshilli Maqedonas për Eurointegrime raportin e fundit të Komisionit Evropian e ka vlerësuar si objektiv edhe përkundër faktit se në të Maqedonisë nuk iu caktua ndonjë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Në mbledhjen e Këshillit ka asistuar edhe zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian, Jan Trushçinski, i cili ka kërkuar nga autoritet qeveritare dhe politikanët maqedonas që raportin ta kuptojnë si udhërrëfyes. Zv/drejtori në Drejtorinë për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Jan Trushçinski u ka kujtuar autoriteteve qeveritare dhe politikanëve në Shkup se përmbushja e kritereve politike është e domosdoshme që Maqedonia të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Test për pjekurinë politike të Maqedonisë do të jenë zgjedhjet e ardhshme vendore dhe presidenciale që pritet të mbahen në pranverë të vitit që vjen. "Nuk mund të ketë garanci për përparim të mëtejshëm, sepse nuk e dimë se si do të jenë zhvillimet, por mundësitë për të arritur qëllimet janë të mira," tha Zv/drejtori në Drejtorinë për Zgjerim të BE-së, Jan Trushçinksi para anëtarëve të Këshillit maqedonas për euro-integrime. Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian ka rikujtuar incidentet zgjedhore, mungesën e dialogut politik, reformat në gjyqësi, reformat në polici, politizimin e administratës shtetërore, të cilat janë vetëm disa nga vërejtjet të përfshira në raportin vjetor të Komsionit Evropian. Sipas Trushçinskit raporti duhet t'i shërbejë Maqedonisë si udhërrëfyes për vazhdimin e realizimit të reformave.Zv/kryeministri i ngarkuar për proceset euro-integruese, Ivica Bocevski e ka siguruar zyrtarin e Bashkimit Evropian se Maqedonia do të vazhdojë me përmbushjen e kritereve të nevojshme. "Do të vazhdojmë me reformat në administratën publike, në luftën kundër krimit të organizuar, reformat në polici, dhe në pushtetin gjyqësor," tha Ivica Bocevski. Maqedonia sipas zotit Trushçinski ka shënuar përparime në rrafshin ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e sidomos në përmbushjen e kushteve për liberalizim të regjimit të vizave. Maqedonisë edhe njëherë i është premtuar se nëse vazhdon me përmbushjen e kritereve politike, për qytetarët e këtij vendi në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm mund të ketë liberalizim të plotë të regjimit të vizazve. Është bërë e ditur se gjatë tre mujave të parë të vitit që vjen në Maqedoni do të qëndrojë një grup i ekspertëve të Komisionit Evropian, nga raporti i të cilëve edhe do të varet vendimi për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›