Prishtinë: E djeshmja, ditë e bekuar
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur ditë të bekuar për Republikën e Kosovës ditën e sotme, kur GJND-ja vendosi në favor të Kosovës, duke thënë se shpallja e pavarësisë nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar. “Ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve që ka marrë Kosova. Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi". "Mendimi i sotëm i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të bazuara që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj, nga e gjithë bota demokratike”, tha Presidenti Sejdiu në një konferencë për gazetarë, pak pas përfundimit të seancës së GJND-së. Ai ka thënë se mendimi i GJND-së “heq përfundimisht të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, duke u bërë thirrje këtyre vendeve që ta marrin këtë vendim sa më shpejt. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se pas mendimit të sotëm të GJND-së, askush në botën demokratike nuk ka asnjë arsye që ta pengojë hapërimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç është edhe OKB-ja. “Ky është vendimi i organit më të lartë të OKB-së dhe unë besoj se me automatizëm edhe Këshilli i Sigurimit, edhe të tjerët, do ta kuptojnë se ky vendim është legal, është legjitim. Unë besoj se tashmë janë hapur rrugët dhe është vetëm çështje kohe dhe procedurale anëtarësimi i Kosovës në OKB, por nuk ka ndonjë pengesë tjetër në hapërimin e Kosovës”, ka thënë Kuçi për radion “Europa e Lirë”. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka mirëpritur mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen. Nuk ka asgjë në mendimin e dhënë nga gjykata, që hedh çfarëdo dileme rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës, tashmë një realitet i pakontestueshëm”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. “E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Europian dhe në NATO. Për këtë arsye, duhet të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore. Këtë e kërkojmë ne. I takon Serbisë tani që të jetë në nivel të përgjegjësive”, thekson ministri Hyseni. “Duam të ritheksojmë gatishmërinë e Kosovës për të diskutuar çështje praktike të interesit të ndërsjellë me Serbinë. çfarëdo bisedash me Serbinë, duhet të jenë mbi baza të barabarta, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, thuhet në deklaratën e shefit të diplomacisë kosovare.
#