Drogë në autobusin e linjës Tiranë-Selanik, pranga shoferëve
Një sasi marijuane është zbuluar dje nga policia kufitare në Kapshticë, në një autobus të linjës ndërkombëtare Tiranë-Selanik. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës njoftoi dje për kapjen në Doganën e Kapshticës në Rrethin e Devollit të një sasie prej afro 50 kilogramësh drogë që do të transportohej për në Greqi dhe për arrestimin e dy drejtuesve të mjetit.
Droga e llojit marijuanë është zbuluar në autobusin e linjës Tiranë-Selanik me targë TR1958N, e fshehur në pjesën e pasme të tij, midis bagazheve të udhëtarëve. Policia ka arrestuar për trafikim lëndësh narkotike në bashkëpunim dy shoferët e këtij autobusi, Bajram Dapi, banues në Tiranë, si dhe drejtuesin tjetër të mjetit, Kristos Prifti, edhe ky i lindur në Tiranë, por banues në Larisa të Greqisë. Policia ka pasur sinjalizime për kalimin e kësaj sasie droge për në Greqi dhe ka ndërhyrë pikërisht në momentin kur mjeti do të kalonte në tokën greke. Sektori i luftës kundër krimeve të rënda, i udhëzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që po ndjek hetimet e këtij trafiku, në bashkëpunim edhe me policinë kufitare në Kapshticë, kanë ushtruar kontroll në autobusin e linjës Tiranë-Selanik. Sipas të dhënave të policisë, droga ishte vendosur në një vend të përgatitur posaçërisht, në pjesën e pasme të autobusit. Policia është detyruar të zhvendosë disa ndenjëse në fund të autobusit, për të depërtuar deri në pjesën e bagazhit ku ishte fshehur droga. Nga kontrolli janë gjetur dhe sekuestruar 46 pako të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave ishte paketuar marijuana. Policia ka arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e autobusit si transportues të kësaj sasie droge, duke e konsideruar të paramenduar trafikimin e saj drejt Greqisë, pasi lënda narkotike ka qenë e fshehur me kujdes në një vend të përgatitur midis bagazheve të udhëtarëve.
#