Maska në Gjirokastër, baxhanaku grabit baxhanakun
Baxhanaku, në bashkëpunim me një person tjetër, grabit me dhunë baxhanakun. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në Gjirokastër të mërkurën, rreth orës 21:00, ndërkohë që arrestimi i autorëve është bërë nga agjentët e Policisë së Gjirokastrës në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Dy të dyshuarit për këtë grabitje, Luljan Ferzaj 21 vjeç, banues në lagjen “Punëtore” dhe Bujar Skënderaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Kodra e Shtufit” të Gjirokastrës, janë arrestuar pas një telefonate të bërë në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut nga një shtetas që denoncoi se dy persona të panjohur për të e kanë vjedhur me dhunë në lagjen “Kodra e Shtufit”.
Burimet e policisë bënë të ditur se menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Patrullës së Përgjithshme dhe specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë, të cilët kanë mundur të identifikojnë dy personat që disa çaste më parë kishin grabitur shtetasin A.P., banues në lagjen “Kodra e Shtufit”, që në momentin e grabitjes ishte duke shkuar për në shtëpi. Dy grabitësit, njëri prej tyre (Bujar Skënderaj), baxhanak me viktimën e grabitur, kanë dalë para tij të maskuar dhe pasi e kanë gjuajtur me sende të forta, i kanë vjedhur një shumë prej 20 mijë lekësh të reja, si dhe një celular të markës “Nokia” dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira.
Sipas zëdhënësit të policisë, Gentian Mullai, “mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës së bërë nga ana e specialistëve të policisë, si dhe angazhimit të një numri të madh forcash, u bë e mundur që në mesnatë të zbardhej plotësisht kjo ngjarje dhe autorët të arrestoheshin në flagrancë. Atyre u janë sekuestruar në cilësinë e provës celulari dhe një sasi e parave të grabitura”.
Mësohet gjithashtu se shtetasit të dëmtuar, nga policia i është dhënë ndihma e nevojshme, duke e transportuar për në spital, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas ka dalë nga spitali, pasi gjendja shëndetësore e tij ishte më e qëndrueshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”, parashikuar nga neni 139 e 25 i Kodit Penal.
#