Prishtinë-Merdarë, opozita kritika qeverisë për projektin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë - Prishtinë – Merdare. Jotransparenca, përdorimi i projekteve kombëtare për interesa personale, devijimet ligjore dhe mungesa e pasqyrimit të kostos së autostradës, sipas tyre, karakterizuan tërë projektin.
“Ekziston rreziku që kjo qeveri me një projekt të pavolitshëm apo të
pafavorshëm për Kosovën të krijojë obligime jo vetëm për këtë qeveri,
por edhe për qeveritë e ardhshme duke krijuar dëme të vazhdueshme për
buxhetin e Kosovës”, tha Avni Arifi, Nënkryetar i AAK-së.
“Unë nuk kam parë shembull tjetër diku që të bëhet një projekt kaq i
madh, të shpallet tender, të përzgjedhet kompania, të bisedohet për
nënshkrimin e kontratës, ndërsa mjetet financiare nuk janë të
siguruara”, u shpreh Adem Salihaj, Deputet i LDD-së.
Oferta e kompanisë “Bechtel & Enka” përfshin dhe një ndryshim të
trasesë nga kryqëzimi i autostradës E 6 E 7 deri në lidhjen me E 9 me
gjatësi prej 11. 6 kilometrash. Ky ndryshim, sipas AAK-së e LDD-së është
bërë për interesa personale të zyrtarëve qeveritarë.
“E dyta ka të bëjë me devijimin që është bërë në Malishevë. Për neve
është e paqartë, sepse nuk na është dhënë argument për të besuar se a
është atraksion i këtij devijimi-pra, kah Malisheva, kostoja më e lirë
apo është sepse i bjen kah arat e Fatmir Limajt”, vijoi Arifi.
“Para së gjithash mund të jenë thjesht interesa personale të zyrtarëve
të qeverisë e të parlamentit që autostrada të shkojë përreth fshatrave
të tyre, vendbanimeve të tyre. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore për
ndryshimin e trasesë së autostradës”, tha Salihaj.
Oferta e prezantuar nga kompania amerikano-turke parashikon një kosto
prej 7,5 - 8 milionë euro për kilometër të autostradës, e cila pritet të
ndërtohet në dy faza: Faza e parë përfshin ndërtimin segmentit Vermicë –
Prizren - Suharekë – Orllat, në gjatësi 60.7 kilometra, ndërsa, faza e
dytë përfshin ndërtimin e segmentit Sllatinë - Besi në gjatësi 27
kilometra.
Edona Peci
< I mëparshmi