E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtine, PDKnis negociatat përkoalicionin qeveritar

PRISHTINE- Sot Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, për t’i hapur kështu rrugë partisë fituese, PDK-së, që të nisë po sot bisedimet për koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, beson se do të krijojë qeverinë e re deri më 17 shkurt, kur Kosova shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj.

Partia Demokratike e Kosovës e cila të shtunën lidhi koalicon në nivel lokal me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, deklaroi se ende nuk kishte vendosur për partnerët e koalicionit. Por siç kanë përjashtuar veten nga të qenët në pushtet, duket se edhe PDK-ja nuk do t’u dërgojë ftesa për bisedime Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.
Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, i cituar nga "europa e lire" ka hedhur poshtë njoftimet për shtim të numrit të ministrive, sic thuhej, për t’i kënaqur apetitet e partnerëve të koalicionit, apo për ndarjen e resorëve për partitë e caktuara.

Për PDK-në, vetëm një gjë është e qartë - kryeministër do të mbetet Hashim Thaçi. Postet tjera, sipas Krasniqit, mbeten të negociueshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që ka fituar 12 deputetë në mandatin e ri, është shprehur disa herë se me Thaçin kryeministër nuk do të hyjë në koalicion.

Në javën që lamë pas, kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, u shpreh se tashmë kishte arritur numrat e duhur për të formuar qeverinë, por pa saktësuar se me kë i kishte arritur ata numra.

Asnjëra nga partitë shqiptare nuk ka konfirmuar se është arritur ndonjë pajtim me PDK-në. LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk kanë lëvizur nga qëndrimi se do të mbesin në opozitë, ndërsa dy partitë tjera shqiptare, AAK-ja dhe AKR-ja, kanë mohuar të jetë arritur deri tash ndonjë marrëveshje.

PDK-ja dhe minoritetet, të cilët kanë 25 ulëse në Kuvend, nuk arrijnë kuotën prej 61 deputetësh, që duhet për miratimin e qeverisë së re.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›