E Diel, 1 Nëntor 2026

“Termokosi” pa mazut, pa ngrohje, pa bord të drejtorëve

Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 17:34

Problemeve të “Termokosit”, me ngritjen e çmimit të mazutit dhe borxheve nga ana e konsumatorëve, tash e një vit iu ka shtuar edhe mungesa e bordit të drejtorëve, ngase anëtarët e tij patën dhënë dorëheqje. Me gjithë këtë kaos në “Termokos”, ku nuk është miratuar plan i biznesit dhe buxheti, zyrtarët e kësaj kompanie thonë se mungesa e bordit nuk është vërejtur aq shumë.

Zyrtarja për informim në “Termokos”, Zana Efendia, ka thënë për Kosovapress se edhe pse dihet që bordi i drejtorëve është tërhequr nga dhjetor i kaluar, një gjë e tillë nuk ka ndikuar shumë për shkak se menaxhmenti i ngrohtores së qytetit ka vazhduar me punët ditore.

“Edhe po të kishte qenë bordi nuk do të bënte asgjë më shumë se sa fakti se vetë komuna e ndihmon për çdo aspekt edhe financiar edhe aspekte tjera menaxhmentin e “Termokos”-it, kështu që mungesa e bordit nuk është ndjerë aq shumë. Ajo që dihet dhe vlen për të theksuar është fakti se për çdo gjë “Termokos” konsultohet me komisionin e aksionarëve dhe një farë forme ata janë në një mbikëqyrje të “Termokos”-it”, ka thënë Efendia.

Duke folur për mos miratimin e plan buxhetit, i cili tash e disa muaj nuk është miratuar nga bordi, Efendia thotë se të gjitha departamentet kanë themeluar plan-buxhetin dhe i njëjti në mungesë të bordit iu është drejtuar komisionit të aksionarëve, të cilët pritet të marrin vendim se çka do të bëhet.

Megjithatë, ajo nuk përgjigjet rreth çështjes se a ka ndikuar në gjendjen aktuale të ngrohtores së qytetit mos zgjidhja e bordit, duke lënë të kuptohet se me këtë problem po merret kryetari i Komunës Isa Mustafa.

“Me gjendjen në të cilën është “Termokos” me një varg aspektesh që e kanë dërguar në një gjendje të tillë, megjithatë me të drejtpërdrejt po ndihmon vetë kryetari i komunës, nënkryetari dhe drejtori i shërbimeve publike dhe kanë bërë të pamundurën që në aspekte të tilla ku gjendet “Termokos” t’i gjendet në ndihmë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ndihma e fundit që ka ofruar Kuvendi Komunal në vlerë prej 300 mijë euro ende nuk është alokuar.

Por një konkluzion i Zyrës së Auditimit të përgjithshëm i bërë në vitin 2009 nuk thotë se “Termokosi” nuk ka probleme pa bord dhe pa miratimin e plan- buxhetit.

Në këtë raportin zyrtar thuhet se përgatitja dhe aprovimi i buxheteve pa analiza të duhura dhe pa harmonizimin me objektivat e Planit të biznesit vështirëson përmbushjen e aktiviteteve operative të kompanisë. Po ashtu, mos aprovimi i buxhetit nga Bordi i Drejtorëve vendos operacionet e parashikuara në rrezik. Madje, sipas këtij raporti, kompania nuk përdorë metodat-analizat e duhura për vlerësimin e shifrave të draft buxhetit që kanë të bëjnë me të hyrat dhe shpenzimet e parashikuara.

Edhe pse me Ligjin për ndërmarrjet publike, në nenin 7 të pikës 3, thuhet se komunat kanë përgjegjësi konkrete në marrjen e masave për funksionalizimin e ndërmarrjeve me të cilat menaxhon dhe janë të obliguara të marrin masa të shkarkimit apo emërimit të bordit të drejtorëve dhe menaxhmentit në rast se ndërmarrja për dy vjet radhazi ka punuar me humbje, një gjë të tillë komuna e Prishtinës nuk e ka ndërmarrë.

Por për të gjitha problemet e “Termokosit”, zyrtarë të komunës së Prishtinës dhe komisionit të aksioneve i cili mbikëqyr për momentin aktivitetet e “Termokos”-it, nuk kanë dashur të prononcohen. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›