Sönmez shfaqet sërish
Mjeku Yousuf Sönmez, i quajtur Dr. Frankenstein, në një intervistë për gazetën “New York Times” ka treguar se sapo është kthyer nga pushimet dimërore, të cilat i kishte kaluar në Alpet e Austrisë. Edhe pse ai është duke u kërkuar nga Interpoli, vazhdon të lëviz i lirë.
Sönmez ka rrëfyer se është njëri ndër kirurgët më të njohur në botë dhe se deri tash nuk ka ndodhur ndonjë komplikacion apo vdekje në transplatimet e tij, numri i të cilave arrin në 2.400. I pyetur për rastin kur një i huaj kishte humbur vetëdijen në Aeroportin e Prishtinës, pas operacionit i cili ishte bërë në Prishtinë, Sönmez tha se nuk e kishte operuar ai dhe se gjatë operacionit ishte vetëm shikues dhe këshillues i mjekëve nga Kosova.
Sönmez me krenari ka shpjeguar se në disa shtete ai është i mirëpritur dhe se shumica e spitaleve, të cilat merren me transplatimin e organeve, siç janë Izraeli dhe India, janë të gëzuar kur ai merr pjesë apo jep informata dhe mënyra për transplatim.
Pas artikullit të “New York Times“, Interpoli e ka vendosur Sönmezin në “Listën e Kuqe“, që don të thotë se kërkimi për arrestimin e tij është intensifikuar dhe ka prioritetin më të lartë të personave të cilët kërkohen nga Interpoli. Sönmez është i dyshuar për rastin “Medicus“, por Turqia nuk e ekstradon atë në Kosovë.