Prishtine-Tirane me avion, tani pa taksen e aeroportit prej 20.53 eurove

Prishtinë, 8 Shkurt, 15:45, NOA - Kompania e fluturimeve që për momentin fluturon në linjën Prishtinë –Tiranë dhe anasjelltas, ka filluar të zbatojë në praktikë, vendimin e marrë nga ana e ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për heqjen e taksës prej 20.53 eurove për të gjitha udhëtimet në linja ajrore jo më të gjata se 200 kilometër nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, tha se, ky është hapi i parë lehtësues financiar që është krijuar për të gjithë udhëtarët që fluturojnë në një largësi ajrore jo më të gjatë se 200 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
“Ne si aeroport kemi njoftuar kompaninë për vendimin e marrë, i cili ka filluar të zbatohet në praktikë. Veç heqjes së taksës, po ashtu kemi krijuar një program stimulant për kompanitë që operojnë në linja prej 200 kilometra largësi për në ANP dhe ky program është miratuar”.
“Nga ky program, i cili parasheh masa lehtësuese financiare presim që të ketë edhe ulje të mëtutjeshme të biletës për këto linja. Me këto veprimet e fundit të Autoriteteve Kosovare janë krijuar kushtet për lirimin e çmimit të biletës në një shumë prej rreth 30 euro”, tha drejtori menaxhues i ANP, Agron Mustafa.
h.i/NOA