Prishtinë, incident pranë zyrës së Hashim Thaçit

Një incident është shënuar gjatë ditës së djeshme shumë pranë zyrës së kryeministrit së Kosovës Hashim Thaçi në Prishtinë. Shoferi i një prej ministrave të qeverisë së tij, gjatë shoqërimit për në zyrën e kryeministrit ka pasur me vete pistoletën e cila është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme.
Kjo ngjarje ka provokuar debat të nxehtë në ambientet e brendshme të kryeministrisë mes shoqëruesve të ministrit dhe pjesëtarëve të sigurimit.
Ngjarja është konfirmuar nga këshilltari për media i ministrit për Zhvillim Ekonomik Gëzim Baxhaku i cili ka thënë se arma u shkrep pa dashje.
Hyrja e shoferit Halil Sopi në institucione me armë përbën shkelje të rëndë ligjore, vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë.
Në fakt, përdorimi i armëve brenda institucioneve është e ndaluar me rregullore të brendshme të qeverisë, qoftë edhe për policët e Policisë së Kosovës.