SHBA-ja ndërton qendër të madhe spiunimi në Beograd?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërtojnë një qendër rajonale në Beograd. Mediat serbe theksojnë se qendra e CIA-s për Ballkanin do ndërtohet në vendin e dikurshëm të Marshallatit në lagjen prestigjioze Dedinje.
Sipas tyre kompleksi shtrihet në mbi 40 000 metra katrorë, përbëhet nga shtatë objekte, do të ketë rreth 400 punonjës dhe kushton 117 milionë dollarë.
Ekspertët e çështjeve të sigurisë nuk dyshojnë aspak se këtu do të vendoset edhe selia e agjensisë informative amerikane për këtë pjesë të Evropës.
“Amerikanët kanë përzgjedhur Serbinë dhe Beogradin për arsye se bëhet fjalë për një vend vëzhgues gjeostrategjik të shkëlqyeshëm. Serbia është në vend ideal edhe sa i përket Adriatikut e edhe Evropës lindore”, vlerësoi ish-profesori për strategji, gjenerali Radovan Radinoviç, dhe shton se për këtë arsye aty do të instalohen pajisjet më moderne për spiunim.
Hapja solemne është në plan të bëhet vitin e ardhshëm, kurse autoritetet serbe në Beograd krenohen me faktin se e tërë procedura e dhënies së lejes ndërtimore ka zgjatur vetëm dy muaj, që konsiderohet rekord për Serbinë.