Prishtinë, reagim pas dhunimit të varreve hebraike

Shoqata e Solidaritetit Shqiptaro-Hebre, përmes një deklarate për media ka reaguar ashpër pas përdhosjes që iu është bërë varrezave hebraike në lagjen Velania, në Prishtinë, me vizatimin e simboleve naziste mbi to.
“Këta shembuj të racizmit dhe urrejtjes nuk kanë vend asnjëherë në shoqërinë kosovare, një shoqëri që në të shkuarën ka vuajtur vetë veprimet e dhunës e shovinizmit”, thuhet në deklaratën e përcjellë nga “Telegrafi”.
Në dokument, kërkohet ndërhyrja e autoriteteve për të vendosur përpara ligjit autorët e kësaj ngjarje të shëmtuar. “Ftojmë qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të ndriçojnë ngjarjen e antisemitizmit dhe paragjykimeve raciste me rastin e përdhosjes së varrezave hebraike në Velani, me simbole naziste. Këto episode nuk mund të merren me shaka, por duhet të trajtohen si vepra barbare dhe të ndëshkohen si të tilla”.