E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtine vritet drejtori i Arsimit. Ne pranga i dyshuari

Prishtina është tronditur nga vrasja e drejtorit komunal të arsimit, Remiz Salihu, i cili u ekzekutua në zyrën e tij. Salihu u vra me pesë plumba në objektin e ri të komunës në lagjen Arbëria rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm. Policia thotë se autor i këtij krimi ka qenë Gani Sahiti, një mësues biologjie i cili kishte konkurruar për postin e drejtorit në shkollën e fshatit Dabishevc, por nuk ishte përzgjedhur. Sahiti është futur me dhunë në zyrën e drejtorit Salihu dhe e ka qëlluar atë më pas me pistoletë.  

“Sot rreth orës 10:00 Policia ka marrë informacionin se në Komunën e Prishtinës ka të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni të gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të trajtuar rastin. Me të dalë në vendin e ngjarjes specialistët për hetimin e vrasjeve kanë konstatuar se bëhet fjalë për vrasje, me, me ç’rast një zyrtar i lartë i komunës së Prishtinës është vrarë në zyrën e tij nga një person i cili është arrestuar nga ana e policisë. Të dyshuarit gjithashtu i është konfiskuar arma me të cilin dyshohet të ketë vrarë zyrtarin e komunës dhe i njëjti është dërguar në qendrën e paraburgimit në Prishtinë”, tha Agron Borovci, Zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Vrasja e Salihut ka ndodhur në kohën kur kryetari i Komunës, Isa Mustafa gjendet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarë të tjerë të komunës dhe familjarët e të ndjerit kanë dënuar ashpër vrasjen, ndërsa kanë kërkuar dënimin e merituar të tij.

“Sot për komunën e Prishtinës ka ndodhur një tragjedi të cilën komuna e dënon ashpër këtë rast dhe kërkon nga organet e ndjekjes që sa më parë të zbulohen shkaqet e vrasjes dhe që atentatori të marrë dënimin e merituar. Kryesi i kësaj vepre të rëndë ka qenë një kandidat i mundshëm për drejtor të një shkolle në një fshat. Tani duhet t’i presim organet e policisë ta thonë fjalën e tyre”, tha Muhamet Gashi, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës.

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës janë shprehur të pakënaqur edhe me sigurimin e ndërtesës ku punojnë. Komuna nuk ka pajisje për detektimin e mjeteve metalike të personave që hyjnë dhe dalin nga ky objekt. Kjo është vrasja e dytë  që ndodh ndaj zyrtarëve të lartë tëKkomunës së Prishtinës. Para dhjetë vjetësh, u vra para banesës së tij arkitekti Rexhep Luci, në atë kohë, drejtor i Drejtoratit të Urbanizimit në Prishtinë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›