E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinës i shtyhet festa

Të bindur se do ta mposhtin Trepçën edhe në ndeshjen e tretë finale të play-off-it të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll të zhvilluar të dielën mbrëma në kryeqytet, Sigal Prishtina dhe tifozët e saj Plisat ishin përgatitur për ta festuar titullin e kampionit për të pestën herë rresht.

Por, ekipi mitrovicas ia doli tua prishë planet bardhekaltërve, të cilët i mposhti si mysafirë me rezultat 74:88. Pas kësaj fitore të Trepçës, rezultati në serinë e ndeshjeve finale të play-off-it është ngushtuar në 2:1 për Sigal Prishtinën. Ndërsa, për tu shpallur kampion nevojiten tri fitore të njërës skuadër ndaj tjetrës.

Trepça mirë e nisi këtë takim, pasi në çerekun e parë krijoi epërsi deri në 11 pikë ndaj Sigal Prishtinës, kur rezultati në semafor ishte 5:15 për gjelbërezinjtë. Mirëpo, prishtinasit filluan të këndellen duke e përmbyllur këtë periudhë të lojës me rezultat 11:17.

Trepça edhe në çerekun e dytë të ndeshjes krijoi avantazh prej dhjetë pikëve ndaj Sigal Prishtinës kur rezultati ishte 16:26. Megjithatë, bardhekaltrit ia dolën dikur ta barazonin rezultatin në 30:30. Por, Sigal Prishtina sërish pati rënie në këtë periudhë të lojës, e cila përfundoi me rezultat të përgjithshëm 34:42, për mysafirët.

Ndërsa, në çerekun e tretë të takimit Sigal Prishtina pati rënien më të madhe në ndeshje, pasi Trepça krijoi epërsi deri në 20 pikë ndaj ekipit vendas kur rezultati në semafor ishte 36:56, pesë minuta pa përfunduar kjo pjesë e lojës. Por, bardhekaltrit sërish bënë kthesë të madhe dhe pozitive në rezultat, duke e zvogëluar epërsinë e kundërshtarit vetëm në tetë pikë, kur shifrat në semafor ishin 52:60, me të cilin rezultat edhe përfundoi kjo periudhë e lojës.

Edhe në çerekun e fundit të ndeshjes Trepça ishte shumë efikase duke krijuar sërish avantazh të madh ndaj Sigal Prishtinës. Kështu, takimi u përmbyll me rezultat përfundimtar 74:88 për Trepçën, e cila ndeshjen e radhës e zhvillon si vendase në këtë mesjavë në Pejë, ku do të kërkon ta barazoi rezultatin në 2:2 me ndeshje.

Lojtari më i dalluar i Trepçës në këtë takim ishte Gazmend Asllani, i cili realizoi 26 pikë, kurse në radhët e bardhekaltërve lojtari më efikas ishte Alex Carcamo. Ndërsa, pas ndeshjes, gazetarët janë penguar nga Policia e Kosovës për të marr deklarata nga trajnerët dhe basketbollistët e të dyja ekipeve, me arsyetimin se ekipi mysafir Trepça, është nën sigurim të madh nga ta.

Martohet Carcamo

Për basketbollistin amerikan të Sigal Prishtinës, Alex Carcamo, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të mbetet për herë në mendjen e tij.

Pak qaste para se të fillonte ndeshja Sigal Prishtina – Trepça, publikisht në palestër Carcamo i ka shpallur martesë të dashurës së tij amerikane, të cilës me ç’rast ia dhuroi një unazë. Ndërkohë, Plisat dhe bashkëlojtarët e tij e uruan amerikanin me duartrokitje të mëdha dhe duke brohoritur fuqishëm - Alex, Alex.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›