E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritë tek Vila e Zogut, plagoset shtetasi

12/07/2009  Ngjarja, pa të dyshuar

Është qëlluar me armë zjarri një shtetas banor i Durrësit teksa ai po përshkonte një nga rrugët kryesore të Kodrës së Vilës. Shtetasi Bujar K. ka marrë plagë në këmbë nga një atentat i ngritur ndaj tij nga persona ende të paidentifikuar. Ky person ka qenë vetëm në kohën që është bërë objekt vrasjeje, por që ka shpëtuar me një plagosje, e cila nuk ka pasur pasoja për jetën. Kulla ka qenë duke zbritur nga Kodra e Vilës, pasi ka pirë kafe në një nga lokalet e zonës dhe në kohën që ka marrë kthesën e parë pas kodrës është ndeshur në një breshëri automatiku. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur viktimën Kulla të plagosur në kërcirin e këmbës. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndërhyrje kirurgjikale dhe burime policore kanë deklaruar se ai është jashtë rrezikut për jetën. Pista kryesore në hetimet paraprake ka të bëjë me ndonjë pritë të ngritur enkas për të vrarë shtetasin Bujar K. nga qyteti i Durrësit. Kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 20.20 të mbrëmjes, ndërkohë që në pak minuta policia ka ngritur postblloqe në rrugët kryesore të qytetit. Burimet zyrtare nuk kanë konfirmuar asnjë të dyshuar lidhur më ketë ngjarje të rëndë, por dyshon se Kulla mund të ketë qenë objekt i krimit për motive ende të paqarta. Sipas policisë së Durrësit, i plagosuri që tashmë gjendet jashtë rrezikut nën mbikëqyrjen e mjekëve në Tiranë nuk është person me precedent penal. Kjo e ka vështirësuar edhe më shumë zbardhjen e autorit apo autorëve të krimit. Këta të fundit kanë shtënë me armë automatike dhe në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar disa gëzhoja arme, ndërsa nuk ka gjetur së paku mbrëmë persona që mund të dëshmojnë lidhur me krimin. Kjo dhe për vetë faktin që në atë zonë nuk ka pasur lëvizje në kohën që i është zënë prita shtetasit të plagosur. Ai ka thirrur për ndihmë, por askush nuk ka mundur t’ia ofrojë atë, ndërkohë që është transportuar për në spital vetëm pasi ka mbërritur policia në vendngjarje, e cila i ka dhënë dhe ndihmën e parë. Kjo e fundit ka marrë në pyetje dhe vetë të plagosurin për të mundësuar mbërritjen deri tek autorët e këtij atentati, i cili fatmirësisht nuk pati viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›