E Diel, 1 Nëntor 2026

Priten njohje të reja të Kosovës nga Amerika Jugore

Honduras- Sot dhe nesër në Honduras mbahet takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane, ku një grup shtetesh të Amerikës Jugore mund të deklarojnë njohjen për pavarësinë e Kosovës. Këtë e ka paralajmëruar vetë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili ka fajësuar Uashingtonin dhe Londrën se po bëjnë presion te shtetet e Amerikës Jugore që ta njohin Kosovën.

Në konferencë do të marrë pjesë edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton. Pas Konferencës së Organizatës së shteteve islamike në Damask të Sirisë, beteja diplomatike rreth njohjeve të reja për pavarësinë e Kosovës është zhvendosur në kontinentin e Amerikës Jugore. Nesër dhe pasnesër në San Pedro Sula të Hondurasit, mbahet takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane.

Mundësinë e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës e kanë theksuar edhe zyrtarët më të lartë të vendit tonë, presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, ndërkohë që edhe ministri i punëve të jashtme të Kosovës Skënder Hyseni ka marrë zotimet e disa shteteve anëtare të OKB-së, se shumë shpejt do ta njohin Kosovën.

Ndërsa Ministria e Punëve të jashtme të Serbisë është alarmuar se gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane një grup shtetesh latino-amerikane mund të marrin vendim për njohje të Kosovës, si rezultat i lobimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila është një nga anëtaret e Organizatës së Shteteve Amerikane.

Delegacioni amerikan në Honduras udhëhiqet nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Në Konferencën e Hondurasit dhjetëra shtete mund të bëjnë të ditur se do ta pranojnë Kosovën. Këtë e ka paralajmëruar vetë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, i cili ka fajësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe se po bëjnë presion te shtetet e Amerikës Jugore që ta njohin Kosovën.

Pjesëmarrjen në këtë konferencë e ka paralajmëruar edhe lideri i AKR-së, Bexhet Pacolli, i cili ka premtuar se më 2 qershor Kosova do të njihet nga El Salvadori. Nga gjithsej 35 shtete anëtare të Asamblesë së Shteteve Amerikane, pavarësinë e Kosovës deri më tash e kanë njohur SHBA, Kanadaja, Kosta Rika, Peru, Belize, Kolumbia, dhe Panamaja. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›