Pritet një pjesëmarrje e madhe në zgjedhjet e Kosovës
Ndërsa ka mbetur edhe një ditë deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme më 12 dhjetor në Kosovë dhe partitë politike shqiptare, serbe, boshnjake, turke e rome në Kosovë po mbyllin fushatat e tyre paraelektorale që filluan më 1 dhjetor, analistët politikë shpresojnë për një pjesëmarrje më të madhe, në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare, të votuesve në këto zgjedhje, sidomos nga ana e serbëve të Kosovës. Analisti i njohur politik shqiptar prishtinas, Behlul Beçaj, konsideron se fushata paraelektorale, duke pasur parasysh parametrat e përcaktuar që më parë, u zhvillua brenda kufijve të së lejueshmes, por megjithatë, sipas tij, mbizotëruan edhe premtime elektorale që duken aspak jo reale. “Mendoj se performanca e medias gjatë kësaj periudhe është zhvilluar brenda kufijve të ‘fer-plejit’, ndërkohë që partitë politike që shkelën rregullat kanë marrë ndëshkimet e merituara. Konsideroj se fituese do të jetë ajo parti që thjesht përcakton dhe përshkruan një gjendje sa më reale të situatës, sesa ato parti që përpiqen, përmes billbordeve me përmasa të mëdha dhe marketingut politik artificial, t’i bindin anëtarët dhe simpatizantët e tyre që të votojnë për këto parti”, - vuri në dukje analisti Beçaj gjatë një prononcimi të tij në stacionin radioteleviziv gjerman “Dojçe Vele”, duke shtuar se ai ka besim se pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet parlamentare në Kosovë këtë të diel do të jenë më e madhe në krahasim me zgjedhjet e kaluara, qoftë për shkak të hipjes dhe përfshirjes në skenën politike të Kosovës të dy subjekteve politike të rinj shqiptarë, “Fryma e re” dhe Vetëvendosja”, qoftë edhe për shkak të interesimit më të madh të serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje. “Duket qartë se jo vetëm serbët, por edhe politika serbe në Kosovë, po i afrohen gjithnjë e më shumë gjendjes reale dhe mendoj se kjo, nga njëra anë, është diçka shumë pozitive e veprim i zgjuar dhe nga ana tjetër, është e domosdoshme që serbët me të vërtetë të fillojnë t’i zgjidhin problemet e tyre, për të cilat deri dje mendonin se do t’ua zgjidhte pushteti serb”, - vuri në dukje analisti shqiptar i lartpërmendur. Por, ndërkohë që serbët në jug të lumit të Ibrit përmbyllin veprimtaritë e tyre të fundit paraelektorale, në pjesën veriore të Kosovës, serbët e atjeshëm vazhdojnë të shprehen për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, sepse pjesëmarrja në këto të fundit, sipas tyre, do të thotë njohje të pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë, autoritetet e larta të Kosovës kanë bërë të ditur se të dielën, në pjesën veriore të saj do të hapen një numër qendrash votimi, tetë qendra statike dhe 13 qendra mobile (të lëvizshme), si dhe se të gjitha ato do të sigurohen nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Sikurse është njoftuar tanimë, zgjedhjet parlamentare në Kosovës të dielën do të mbikëqyren nga më se 30 000 vëzhgues të akredituar vendës dhe të huaj.