Pritet rritje e eksporteve shqiptare drejt Europës
Eksportet shqiptare pritet të njohin rritje drejt tregjeve të vendeve të Europës Qendrore. Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi Protokollin shtesë dhe anëtarësimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Shqipërisë me vendet e Europës Qendrore. Pranvera Kastrati, drejtore e Politikave të Integrimit të Tregtisë, pranë Ministrisë së Ekonomisë, u shpreh se heqja e tarifave doganore do të rrisë eksportet shqiptare drejt këtyre vendeve. Sipas saj, të ardhurat doganore do te kenë një efekt negativ vjetor, prej 60 milionë lekë. Nga 1 Janari i 2010 nuk zbatohen tarifa doganore në shkëmbimet e produkteve industriale, ndërmjet të gjitha vendeve anëtare të marrëveshjes së CEFTA-s. Prodhimi vendas bujqësor ka ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, veçanërisht të frutave dhe perimeve gjatë këtij sezoni. Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj, shprehet se, krahas tregut të brendshëm, që furnizohet aktualisht me prodhim vendas, i cili ka cilësi më të mirë se malli i importit, është rritur mjaft edhe vëllimi i eksporteve të tyre. Statistikat evidentojnë se ne qytetet Lushnjë, Fier dhe Berat, janë çmimet më të ulta për prodhimet bujqësore e blegtorale vendase.