Pritet të nisë protesta e opozitës

Pritet të nisë protesta e opozitës në Tiranë. Protesta do të bllokojë të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit pasi protestuesit e ardhur edhe nga qytetet përreth kryeqytetit do të marshojnë në rrugët e Tiranës.
Mësohet se në kryeqytet itinerari do të përfshijë rrugët kryesore kur grumbulllimi i protestuesve do të zhvillohet në 5 zona të kryeqytetit, si në stadiumin “Dinamo”, “Farmacia 10” “Zogu i Zi”, “21 Dhjetori”, dhe bulevardi “Zogu i Parë”.
Më pas protestuesit do mblidhen te sheshi pranë muzeut dhe do të marshojnë në rrugën e Durrësit drejt `Zogut të Zi`. Organizatorët deklarojnë se nuk do të ketë grumbullim para kryeministrisë dhe se protestuesit të cilët do të mbajnë pankarta në duar, do të ecin paqësisht dhe do të hedhin parrulla. Mësohet gjithashtu se nuk do të ketë fjalime politike dhe gjithçka pritet të përfundojë pa ndonjë incident.
Por protesta do të ketë dhe në 3 qytete të tjera si Vlorë, Lezhë dhe Korçë ku do të marshohet nëpër rrugët kryesore të këtyre qyteteve.
Ndërkohë mësohet se kreu i PS-së, Edi Rama, do të jetë i pranishëm në protestën që do të organizohet në kryeqytet ndërsa mësohet se kryetari i asamblesë kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi do të jetë i pranishëm në Vlorë.
Kjo është protesta e tretë e opozitës për këtë vit. Protesta e parë, e mbajtur më 21 janar, përfundoi me tre të vrarë e qindra të plagosur. Protesta e së premtes së shkuar ishte marshim homazh në nderim të tre të vrarëve në 21 janar.