Pritet verdikti i AVA-s

Mund të ketë edhe një shans për maturantët që nuk kanë arritur të marrin pikët e duhura, për tu rradhitur në tabelën e fituesve të shkollës së lartë. Bëhet fjalë për ata nxënës që kanë paraqitur ankesat e tyre për parregullsi në korrigjimin e provimit. Pas dorëzimit të ankesave në zyrat e Agjensisë së Vlerësimit të Aftësive të nxënësve, pritet verifikimi përfundimtarë i testeve ku pretendohet se ka pasur parregullsi. “Maturantët që kanë paraqitur kërkesën për verifikimin edhe një herë të tezës së provimit, pranë zyrave të Drejtorisë Arsimore Rajonale, mund të ngjiten në listën e fituesve”. Kështu thanë dje për “Korrierin”, burime pranë zyrës së Drejtorisë Arsimore Rajonale në Tiranë. Sipas tyre ka patur plot ankesa nga ana e nxënësve, të cilët pretendojnë se nuk kanë marrë pikët që meritojnë në provim. Pas mbylljes së verifikimit të ankesave dy ditë më parë, u numëruan plot 250 ankesa vetëm nga Tirana, ndërsa nga rrethet ka patur më pak. Sipas Muhamet Mesit, njërit prej inspektorëve të DAR-it, “pas verifikimit të ankesave të maturantëve, ato do t’i dërgohen zyrës së AVA-s për verifikimin përfundimtarë”. Në bazë të ankesave të bëra do të kontrollohen të gjitha tezat e provimit për të bërë verifikimin e parregullsive. Në rast se vihen re parregullsi në korrigjimin e parë të pyetjve, maturantit përkatës do t’i shtohen aq pikë sa i janë mohuar gjatë këtij korrigjimi. “Në qoftë se pikët që mund t’i jenë mohuar si pasojë e parregullsive, e plotësojnë pikavarazhin e maturantit për tu future në zonën e fituesve, atëherë ai do të shpallej fitues”, bënë të ditur burimet. Por, maturanti do ta humbiste të drejtën për ta vazhduar këtë vit shkollën e lartë, nëse pikët që mund t’i jenë zbritur gjatë korrigjimit të parë nuk e plotësojnë pikavarazhin e duhur. Sipas Mesit, “në pjesën më të madhe të rasteve edhe pas rivlerësimit, pikët e testeve dalin po të njëjta me ato të vlerësimit të parë”. Ai shtoi se kërkesat e shumicësë prej maturantëve, të cilët pretendojnë se kanë marrë më shumë pikë nga ato që kanë dalë pas vlerësimit të testeve, janë pavend. Sipas tij, gabimet e maturantëve janë konkrete dhe mund të shihen fare qartë po t’i hedhësh një sy testit. “Pyetjet me shtjellim kanë qenë ato në të cilat maturantët kanë gabuar më shumë. Në vend që të mbushnin të paktën gjysmën e hapësirës që ishte lënë në test për përgjigjet e këtyre pyetjeve, përgjigjia e shumë maturantëve ka qenë me një fjali të vetme”, tha Mesi. Por kjo përgjigje vlerësohet me zero pikë, pasi nuk merret parasysh sepse nuk i është përshtatur pyetjes, e cila kërko të paktën tre fjali për ta shtjelluar siç duhet. Përveç këtyre gabimeve, testet e maturantëve kanë patur edhe gabime të tjera si për shembull pyetjet pa përgjigje. Gjithashtu edhe pyetjet me qarkim, ku në një pjesë të tyre është qarkuar alternative e gabuar, ndërsa në pjesë të tjera është lënë pa qarkim fare.