Pritje madhështore e Bler-it në Kosovë, sot dita e dytë e vizitës
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler, mbërriti dje pasdite në Prishtinë, për një vizitë dyditore, ku u prit në mënyrë madhështore nga autoritetet dhe populli kosovar. Vizita e Bler u bë me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili u kujdes që t’i organizonte një pritje të nivelit më të lartë shtetëror. Me të mbërritur në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë, Bler u prit nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me nderimet më të larta të Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Më pas ai u prit nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ndërkohë bëhet e ditur se ditën e sotme, ish-kryeministri britanik do t’i drejtohet me një fjalim Kuvendit të Kosovës në një seancë plenare, e cila është thirrur për nder të tij. Ish-kryeministri Toni Bler, ashtu si në vitin 1999, do të dalë para ndërtesës së Qeverisë për t’u takuar me qytetarët. Gjatë kësaj vizite ish-kryeministrit Toni Bler, Universiteti i Prishtinës do t’i dorëzojë çmimin “Doctor Honoris Causa”, ndërkaq presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do t’i dorëzojë atij “Medaljen e Artë të Lirisë”. Kjo medalje për Blerin, ishte një vendim i mëhershëm i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Po ashtu, është paralajmëruar se Bler mund të vizitojë edhe disa lokalitete të banuara me popullatë serbe. Vizita e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, po shoqërohet me një marketing nga Qeveria e Kosovës që publikohet përmes Televizionit Publik. Ndërkaq, nuk mungojnë as paralajmërimet me tituj nëpër ballinat e gazetave të përditshme. Toni Bler, bashkë me ish-presidentin Bill Klinton, për kosovarët konsiderohen si dy prej miqve më të mëdhenj të Kosovës dhe dy personalitete që kishin rolin kryesor në fillimin e fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Milosheviçit, që në fund rezultuan me çlirimin e Kosovës. Nëpër rrugët e Prishtinës janë vendosur postera të mëdhenj të ish-kryeministrit britanik, ku ai paraqitet si mik dhe hero i Kosovës. Gjatë fundit të mandatit të tij si kryeministër i Britanisë, Toni Bler pati deklaruar se Kosova ishte ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij. Përndryshe, kjo do të jetë vizita e dytë e ish-kryeministrit Toni Bler në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999. Por, njëherësh, është edhe vizita e tij e parë në Kosovën e pavarur.
PE miraton rezolutën për Kosovën, mirëpritet nga Prishtina zyrtare
Parlamenti Europian me shumicë votash ka miratuar Rezolutën për Kosovën, me anë të së cilës ftohen vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë atë. Rezoluta, në të cilën thuhet se PE do të përshëndeste kur të gjitha vendet anëtare të BE-së do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, e kanë mbështetur 455 deputetë, ndërsa rreth 150 e kanë kundërshtuar atë. Deri tani pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 22 vende anëtare të BE-së, ndërsa vetëm pesë prej tyre nuk e kanë bërë ende. Vendimi është përshëndetur nga autoritetet kosovare, të cilat janë shprehur optimiste për njohje të reja në të ardhmen. Në mënyrë që politika europiane të jetë efikase për të mirën e të gjithëve në Kosovë, vendet anëtare të BE-së duhet ta forcojnë qasjen e përbashkët ndaj Kosovës, theksohet në rezolutën e përgatitur nga deputetja austriake, Ulrike Lunacek.
Serbia fillon punën në varrin masiv me kosovarë
Zëvendësprokurori për krime të luftës i Serbisë, Bruno Vekaric, tha se hetuesit e kanë filluar punën në një varrezë masive, që besohet se përmban më se 250 trupa të pajetë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës në vitet 1998-99. Ai theksoi se gjyqtarët hetues po e analizojnë terrenin në Rudnicë, në pjesën jugore të Serbisë, afër kufirit me Kosovën. Zëvendësprokurori Vekaric tha se hetimi ka filluar dje dhe nëpërmjet tij do të përcaktohet nëse trupat janë varrosur në atë hapësirë, e cila ishte raportuar nga dëshmitarët. Sipas tij, do të pasojë edhe zhvarrosja. Prokurorët e Serbisë besojnë se trupat e pajetë janë varrosur nën një ndërtesë dhe një vendparkim në fshatin Rudnicë, pasi kufomat ishin sjellë aty nga Kosova, për t’i fshehur mizoritë e kryera gjatë luftës.
Greqi
Vendi paralizohet nga greva e përgjithshme
Një grevë e re e përgjithshme 24 orëshe, e shtata që nga fillimi i krizës, ka paralizuar gjithë Greqinë në shenjë proteste kundër reformës së pensioneve. Reforma u miratua nga Parlamenti vetëm me votat e mazhorancës socialiste dhe dy votat e kandidatëve të pavarur. Reforma, e cila mori 159 vota pro ndaj 137 kundër, për t’u kthyer në ligj u përball dje në një tjetër betejë në asamble, ku projektligji u diskutua nen për nen. Grekët janë pesimistë për rezultatet e krizës dhe për këtë arsye është paralizuar transporti.
Kubë
Do të lirohen 52 të burgosur politikë
Ministri i jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos, ka konfirmuar gatishmërinë e Spanjës për të strehuar 52 të burgosurit politikë të Kubës të cilët priten të lirohen nga burgu. Moratinos tha se presidenti kuban Raul Castro e kishte siguruar atë gjatë një vizite, se familjet e të burgosurve gjithashtu do të lejohen të shkojnë në Spanjë. Fillimisht priten të lirohen pesë prej të burgosurve ndërsa të tjerët do të lirohen gjatë muajve të ardhshëm. Moratinos tha se kjo tregonte se ka nisur një epokë e re për Kubën.
Përgatiti: Blerina Olldashi
9 Korrik 2010