19 finalet e botërorëve
Të dielën, më 11 korrik, në “Soccer City” të Johanesburgut, me ndeshjen Holandë-Spanjë do të luhet finalja e 19-të e kampionateve botërore, kompeticionit më të madh të futbollit në planet, qysh kur ai nisi rrugën plot 80 vjet më parë, në vitin 1930 e që kulmoi me finalen e fituar 4-2 të Uruguait ndaj Argjentinës. Qysh atëherë në finalet e 19 kompeticioneve, përfshirë edhe këtë të Afrikës së Jugut, në finale kanë mbërritur 12 skuadra: Gjermania (7 herë), Brazili (7 herë), Italia (6 herë), Argjentina (4 herë), Uruguai (2 herë), Franca (2 herë), Çekosllovakia (2 herë), Hungaria (2 herë), Suedia (1 herë) dhe Spanja (1 herë). Nga këto 12 skuadra (pa përfshirë Spanjën), vetëm shtatë prej tyre e kanë fituar trofeun: Brazili, 5 herë (1958, 1962, 1970, 1994, 2002); Italia, 4 herë (1934, 1938, 1982, 2006), Gjermania, 3 herë (1954, 1974, 1990); Argjentina, 2 (1978, 1986); Uruguai, 2 (1930, 1950); Anglia, 1 (1966) dhe Franca, 1 (1998). Katër të tjerat, Holanda, Çekosllovakia, Hungaria dhe Suedia nuk kanë mundur të fitojnë, edhe pse Suedia e ka zhvilluar Botërorin e vitit 1958 në shtëpi. Në finalen e Botërorit të Afrikës së Jugut, një gjë është e sigurt, bota do të ketë jo vetëm një kampione të re, por dhe një komb të ri që i shtohet “panteonit” të kampionëve të mëdhenj, pasi si Holanda (dy herë finaliste e humbur, 1974 dhe 1978) ashtu dhe Spanja (në finalen e saj të parë) e kanë këtë mundësi. Fituesi i kësaj finaleje tërësisht europiane do t’i japë kontinentit plak edhe trofeun e 10-të, kundrejt 9 që ka fituar kontinenti i Amerikës së Jugut.
Nga 76 kombet, që kanë luajtur të paktën një Kupë Bote, vetëm shtatë prej tyre e kanë fituar të paktën vetëm një herë. Ekipet fituese shtojnë një yll në stemën e tyre, dhe çdo yll përfaqëson një fitore në Kupën e Botës. Uruguai bën një përjashtim në këtë rregull të pashkruar, pasi në bluzën e tij ka vendosur katër yje, duke përfaqësuar dy medaljet në Lojërat Olimpike 1924 dhe 1928, si dhe dy titujt në Kupën e Botës, në vitin 1930 dhe 1950. Me pesë tituj, Brazili është ekipi më i suksesshëm në Kupën e Botës dhe i vetmi komb që luajtur në çdo Kupë Bote deri tani (19) dhe ai do të presë Kampionatin e 20-të Botëror të Futbollit, në vitin 2014. Italia (1934 dhe 1938) si dhe Brazili (1958 dhe 1962) janë dy vendet e vetme që kanë fituar dy tituj rresht. Gjermania (1982-1990) dhe Brazili (1994-1990) janë dy kombet e vetme që kanë dalë në tri finale rresht. Gjermania është e vetmja skuadër që ka dalë më shumë në top-4, 12 herë.
1930: Uruguai-Argjentinë 4-2
Botërori i parë futbollistik u zhvillua në Uruguai, më vitin 1930. Ishte hera e parë që kombëtaret e futbollit të shteteve mblidheshin në një vend të vetëm, për të nxjerrë një fitues. Edhe pse futbolli ishte pjesë e Lojërave Olimpike të zhvilluara dy vite më parë, nuk ishte organizuar asnjë herë një kompeticion botëror për sportin e futbollit. U vendos që do të zhvillohej në Uruguai. Në fakt, numri nuk ishte aq i madh saç pritej, pasi vetëm 13 skuadra konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Një prej ekipeve që zhgënjeu më shumë, për faktin që nuk mori pjesë, ishte pikërisht Kombëtarja e Anglisë. Argjentina, Uruguai, SHBA-ja dhe Jugosllavia fituan grupet e tyre dhe u kualifikuan në gjysmëfinale. Në finale, Uruguai, vendi organizator mundi 4-2 Argjentinën dhe u bë vendi i parë që fitonte Kupën e Botës. Finalja u luajt, më 30 korrik 1930, në Montivideo. Golat për Uruguain u shënuan nga Dorao, Cea, Iriarte dhe Kastro. Për Argjentinën realizuan Peucelle dhe Stabile.
Ndryshe nga botërorët e ardhshëm, ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt që duhet të zhvillohej mes SHBA-së dhe Jugosllavisë, nuk u zhvillua. Kjo për faktin se Jugosllavia protestoi për gabime në humbjen 6-1 ndaj Uruguait dhe në shenjë proteste nuk luajti. 70 gola u shënuan gjatë gjithë ndeshjeve të Kupës së Botës, duke pasur një mesatare mjaft të lartë, pikërisht prej 3.89 golash për ndeshje.
1934: Çekosllovaki-Itali 1-2
Më 1934 kriza e madhe që ka pushtuar botën, duket si fashistët. Ndërkohë, në atë periudhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numëroheshin ende 13 milionë të papunë. Në Gjermani, pas vdekjes së Hindenburgut, vjen në fuqi Adolf Hitleri. Dhe në këtë gjendje të nderë italianët organizojnë botërorin e dytë të futbollit. Idhulli dhe lideri i kësaj skuadre është Xhuzepe Meaca. Por trajneri Vitorio Poca vendosit të mbështetet edhe te pjekuria e Guaitës, këmbëngulja e Skiavos, fantazia e Orsit, nën regjinë e Ferrarit në mesfushë. Kjo është bërthama e skuadrës së kaltër me ambicie për të fituar këtë Botëror. Kundërshtarët janë mëse të respektueshëm, Austria, Hungaria, Çekosllovakia, Zvicra, Spanja dhe natyrisht Argjentina e Brazili. Por mungon Uruguai. Takimi final ishte Itali-Çekosllovaki në Romë. Në finale të botërorit 1934 merr pjesë edhe diktatori Benito Musolini. Puc shënoi i pari për çekosllovakët. Kur mbeteshin edhe 21 minuta lojë skuadra italiane galvanizohet dhe Monti me Ferrarin merren vesh midis tyre dhe aksionin që marrin përsipër e mbyll Orsi, duke shënuar me një goditje të fortë. Përsëri 30 minuta shtesë loje si me spanjollët. E pastaj goli historik i Anxhelo Skiavos, pas topit të dhënë, nga Guaita. Italianët janë Kampionë të Botës pas 120 minutash lojë, për të parën herë dhe për më shumë përpara publikut të tyre.
1938: Itali-Hungari 4-2
Ndërsa në Francë më 1938 zhvillohet kampionati i tretë botëror i futbollit, Spanja bëhet teatri i luftimeve të përgjakshme që kanë nisur dy vite më parë. Në mars të vitit 1938 Hitleri anekson Austrinë.
Për herë të parë fituesja e kupës dhe vendi organizues hyjnë drejt e në fushë. Hungaria eliminon 5-1 Suedinë dhe fton në finale për titull Italinë. Ky takim është pasqyrë e dy koncepteve taktike krejt të ndryshme. Italianët luajnë me një ritëm të ngadalshëm për të shpërthyer në manovrimet para portës. Në minutën e gjashtë shënojnë italianët. Pas një aksioni të gjatë koral Andreolo, Serantni, Biavati, Piola, gjuan Kolausi dhe gol. Po brohoritjet e italianëve i shuan hungarezi Titkos (8’). Po italianët nuk jepen. Përsëri aksion, këtë radhë telegrafik Koluasi, Ferrari, Meaca e Piola që merr topin e shënon. Në minutën e 35-të, golin e tretë e shënon Kolausi. Bien në sy, krahas sulmuesve, mbrojtësi Foni, Rava, Oliveri, Andredo, Serantoni. Po dhe hungarezët nuk duan të pajtohen me humbjen. 20 minuta para mbarimit shënojnë me anë të Sarosit (70’). Atëherë luftojnë për të barazuar. Edhe një herë tjetër një aksion me shumë stacione nga italianët – Rava, Ferrari, Piola, duet i tij me Biavatin, tre kundërshtarë të dalë jashtë përdorimit, dhe 4-2 në minutën e 82-të. Italia, kampione për herë të dytë.
1950 : Brazil-Uruguai 1-2
Në vitin 1950 në Brazil zhvillohet botërori i katërt. Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të lindjes nuk marrin pjesë. Po kështu vepron dhe Argjentina. Të papriturën e sjell Anglia që për herë të parë dënjon të pranojë të ulet në sofrën e futbollit botëror. India hedh poshtë ftesën, sepse futbollistët e saj dinë të luajnë futboll vetëm zbathur. Bëhet ç’është e mundur të ftohet Portugalia, Franca, Turqia, po më kot. Ashtu si më 1938 Gjermania dhe Japonia, si shtete të mundura në luftën e dytë botërore, nuk ftohen në Brazil. Lojtarët uruguajanë Varela, Andrade, Skiafino do të dëshmojnë se ndonëse nuk kanë elegancën e xhonglerëve brazilianë, janë më racionalë, më të përmbajtur, më të thjeshtë, po, mbi të gjitha, më rezultativë se brazilianët. Finalja dramatike midis Uruguait dhe Brazilit do të zhvillohej në stadiumin gjigant dhe sot e kësaj dite legjendar, “Marakana” me 200 mijë vetë mbi shpatulla, e para dhe e fundit herë në historinë e tij me një barrë kaq të madhe, pas zhvillimeve lavdiplotë. “Saoveno, o Brazil”, në fund të takimit do të bjerë në heshtje mortore, pasi ata që do të triumfojnë do të jenë uruguajanët. Friaka shënoi për Brazilin në minutën e 47-të, por Skiafino barazoi për Uruguain në minutën e 66-të. Gixha në të 79’ shënoi golin e fitores për Uruguain, tashmë 2 herë kampion i botës.
1954: RF Gjermani-Hungari 3-2
Zvicra është vendi që pret Kupën e Botës të vitit 1954. Normalisht asokohe në Evropë flitej shumë për kombëtaren e Hungarisë e cila udhëhiqej nga një legjendë e futbollit botëror, Ferenc Pushkash. Por favoritë janë edhe brazilianët, e për më tepër uruguajanët, të etur për ta fituar për të tretën herë Kupën e Botës. Në gjysmëfinale, Gjermania mundi 6-1 Austrinë dhe Hungaria 4-2 Uruguain. Finalja. Me Pushkashin që ndonëse i dëmtuar futet në fushë, hungarezët shënojnë dy herë me anë të Pushkashit e Ciborit në vetëm tetë minuta lojë. Pritet një goleadë. Por pas dhjetë minutash rezultati është barazohet. Gjermano-perendimorët kanë marrë masat e duhura. Ashtu si në takimin e parë në grup të cilën hungarezët e fituan lehtësisht me rezultatin 8 – 3 , Librihu mbulon plotësisht Puskashin dhe Ekeli Hidegkutin e sprovuar. Kurse kundër Fric Valterit luan i famshmi Bozhik. Por pas barazimit 2 – 2 në fushë mbizotëron një barzpeshë e përkohshme. Pastaj gjithçka që zhvillohet në fushë, është e markës gjermano-perëndimore. Hungarezët e cfilitur nuk mund të përballojnë ritmin e kundërshtarit. Dhe ja, 6 minuta para mbarimit, vjen goditja vdekjeprurëse e skuadrës danubiane nga Rani që shënon golin e tretë dhe të fitores. Gjermanët kthehen me triumf nëpër shtëpitë e tyre. Pas pesë muajsh disa kampionë janë të sëmurë, e shfaqen si fantazma në fushë. Flitet për drogë. Por nga Gjermania vjen një përgjigje qetësuese. Është fjala për një hepatit viral që ka goditur Ranin gjatë një turneu në Brazil dhe që ai ua ka ngjitur shokëve të tij.
1958: Brazil-Suedi 5-2
Botërori i vitit 1958 zhvillohet në Suedi. Është botërori 17-të vjeçarit Elson Erantes Demos Qiumentes i mbiquajtur thjesht Pele. Është botërori i Brazilit që aq shumë u admirua që më 1950 në Uruguai, po që kurrë nuk arriti të ngjitej në podiumin e fitores. Është botërori i trajnerit të saj Visente Feda zbatuesit të sistemit taktik 4-2-4 që do të varrosë sistemin ËM. Në gjysmëfinale Suedia mund Gjermaninë Perëndimore 3–1, Brazili Francën 5–2. Pastaj në finale për vendin e tretë Franca mposht gjermanoperëndimorët 6–3 në finale Brazili Suedinë 5–2. Në finalen e luajtur më 29 qershor në Stokholm, çasti magjik i suedezëve që e shohin veten Kampionë të Botës, zgjat vetëm 6 minuta, kur Lidholmi shënon golin e parë. Pastaj në minutën e nëntë barazon Vava, i cili u jep frymëzim shokëve të tij duke shënuar dhe golin e dytë. Më pas gjithçka zhvillohet nën ritmin e sambas të drejtuar nga Pele që shënon dy gola, njëri prej të cilëve pas një ujëvare të tërë lëvizjesh fizio-karakteristike, që edhe sot mbetet një nga golat më të bukur të antologjisë së botërorëve të futbollit. Simonsoni kërkon të zbusë përmasat e një humbje të turpshme më një gol të shënuar 10 minuta para mbarimit, por nuk është i këtij mendimi Pele që shënon edhe golin e pestë dhe të fundit të këtij botërori.
1962: Brazil–Çekosllovaki 3-1
Botërori i vitit 1962 zhvillohet në Kili, përfaqësuesja e të cilit do të renditet në vendin e tretë në këtë kompeticion. Favoritët kryesorë janë sërish brazilianët të cilët në fund do ti kënaqen fitores së dytë rresht të Kupës së Botës. Mungesa më e madhe e këtij botërori është Pele i cili dëmtohet që në takimin e parë ndaj Çekosllovakisë. Të papriturën e përbën në këtë botëror pikërisht Çekosllovakia e cila, ashtu si më 1938 arrin në fund, duke pasur si hero jo një portier si Planiçka, por një mesfushor si Mesopusti. Është kampionati më pak spektakolar dhe me më pak gola. Finalja Brazil–Çekosllovaki ka vetëm një pikë kulmore, golin e çekut Meopust në 15 minutat e para. Vjen pastaj barazimi i shpejtë i Amarildos që zëvendësoi Pelenë. Po futbollistët danubianë të drejtuar nga Vitlaçili, dinë të zënë shtigjet në kufijtë e zonës së rreptësisë. Por ajo që i tradhton është pasiguria e portierit Shroif, i cili i jep mundësi Zitos të shënojë golin e dytë. Pastaj një tjetër gabim i Shroifit dhe Vava shënon golin e tretë. Megjthatë Brazili e meriton plotësisht suksesin në këtë botëror. Frymëzimi i Garrinçës në sulm, vrulli i Amarildos, pjekuria e Didit dhe zgjuarsia e Zagalos nuk janë pak për skuadrën dy herë kampione të Botës, që natyrisht është shumë superiore kundrejt çekosllovakëve.
1966: Angli-Gjermani 4-2
Në vitin 1966 Anglia organizon për herë të parë Kupën e Botës. Futbolli kthehet në vendin ku është zbuluar që në fillesat e veta dhe këtij fakti nuk kishte se si t’i mungonin të papriturat e radhës. Një Botëror i përfolur për shkak të ndihmës që iu dha vendit organizator nga arbitrat, por gjithashtu u vlerësua loja e bërë nga Anglia, falë talentit dhe klasit të disa prej futbollistëve si Mur, Hërst apo Çarlton. Kështu pas gjysmëfinaleve, RF Gjermane - B. Sovjetik dhe Angli – Portugali, të fituar me të njëjtin rezultat nga skuadrat e para, arrijmë në finalen anglo-saksone. Një finale që gjithashtu u ndikua nga arbitrat dhe ka të bëjë me një gol që ka mbetur enigmë, nëse ishte apo jo. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2 dhe ndeshje u detyrua të shkojë në shtesë. Gjermania Perëndimore po bënte rezistencë dhe u duk shumë e fortë për t’i hapur rrugë organizatorëve të kompeticionit. Pas një rivaliteti të madh në fushë, heroi i finales, sulmuesi anglez Hërst, shënoi golin e avantazhit 3-2 në minutën e 101-të të lojës. Topi kapi traun dhe më pas ra në tokë. Arbitri zviceran Dinst iu drejtua anësorit Bahramov dhe nuk ishin dakord nëse ishte gol apo jo. Gjithsesi, përfundimi ishte se vendësit kaluan në avantazh dhe kjo çoi në ekstazë të gjithë të pranishmit në stadiumin “Uembli”. Hërst shënoi edhe një herë tjetër në sekondat e fundit, duke finalizuar fitoren 4-2, e cila i dhuroi Kupën e Botës Anglisë.
1970: Brazil-Itali 4-1
Deri më 1970 kupa “Zhyl Rime”, e quajtur kështu për nder të nismëtarit të Botërorëve të futbollit, shëtiti në shumë kryeqytete të botës në pritje që të zotërohej tri herë nga e njëjta skuadër. Në ndeshjen finale në Meksikë kjo mundësi iu paraqit Italisë që e kishte fituar me 1934 e 1938 dhe Brazilit me 1958 e 1962. Dhe ja, në finalen e zhvilluar më 21 qershor 1970 midis tyre Brazili mundi Italinë 4-1 dhe e fitoi përfundimisht këtë kupë. Në finale ndeshen Brazili dhe Italia. Kur Pele, ende i aftë për të bërë mrekulli, me një goditje të pamëshirshme me kokë pas dialogimit Tostao - Rivelino shënon golin e parë dhe duket se për Brazilin do të nisë një dialogim triumfal. Po pas 20 minutash Boninsenja, duke përfituar nga një keqkuptim midis Klodoldos dhe Feliksit, barazon. Pas pushimit gjithçka bëhet e qartë. Në 68’ minutë, Everaldo fton në aksion Zhairsinjon, i cili ndjek lëvizjet e Gersonit që me të marrë topin me një goditje prepotente me të majtën gjunjëzon portierin italian Albertozi. Tre minuta më pas, këmbim rolesh midis tij dhe tani është Zhairsinjo që shënon golin e tretë. Goli i katërt është një pjesë muzikore i interpretuar me virtuozitet. Klodaldo shkëputet, ndalet, shoqëron me sy galopimin e Zhairsinjos që ia kalon topin Peles, i cili ndjek mbrojtësin Karlos Alberto. Ky e ka shtegun të lirë, pasi Faketi kontrollon për çdo të papritur magjistarin Pele dhe pason një goditje tepër të fortë. Sipari i Botërorit mbyllet kështu 4-1 për Brazilin. Fitore plotësisht e merituar, ndonëse mund të kishte pasur përmasa dhe më të ngushta.
1974: Gjermani-Holandë 2-1
Ky është edhe botërori që soli ndryshimet e para të rëndësishme. Pas ndeshjeve në katër grupet, tetë fituesit ndahen në dy grupe të tjera e ku ndeshjet zhvillohen përsëri në sistem rrethi. Myleri e Bekenbaueri me shokë nuk shqetësohen. Dhe ja me ne fund finalja. RFGJ - Holandë. Per vendasit, ekuacion me shumë të panjohura përbën Krujf. Atij i është betuar të mos i ndahet deri në vdekje Fogsti. Po nuk ka kaluar një gjysëm minute lojë, ekzaktësiht 27 sekonda dhe ai ndërhyn rëndë ndaj antagonistit të tij dhe gjyqtari anglez Teilor, pa nguruar, vërshëllen për 11-metërsh. Neskensi tregohet i saktë. Pas golit manovrimi holandez është i pandalshëm, po shpejt djemtë e Shenit që e drejtojnë këtë betejë me nerva të salduara, shkunden nga pasiguria dhe kur Helcenbaini pengohet brenda zonës nga Janseni, ëshëe radha e Brajtnerit të barazojë përsëri me 11-metersh. Në pjesën e dytë nisin të dëgjohen nota të muzikës vagneriane të interpretuara nga orkestrantët gjermno-perendimore që sjellin golin e dytë të shënuar nga oportunisti Gert Myler, i cili pasi i shmanget Hanit, e gjen të papërgatitur portierin Jongblod. Holandezët bëjnë të pamundurën dhe portën e të pandryshkurit Majer e shpëton mbi vijën e portës Brajtneri që dëbon një top të gjuajtur nga Repi. Po vetëm kaq. Fitorja u takon gjermaneve, kurse nderi holandezeve.
1978: Argjentinë-Holandë 3-1 (p.k.sh)
Aristokracia e futbollit përfaqësohet nga emra pa shumë kumbim. Pele dhe Krujf mbeten një kujtim. Është një botëror modest, si ai i Kilit më 1962. Është përfolur madje edhe për trukime dhe marrëveshje përsa i përket rezultatit të ndeshjeve, ku protagoniste ishte pikërisht Argjentina. Holanda, ndonëse pa Kruifin, mbetet ende e fortë dhe arrin deri në finale. Po të mos harrojmë se edhe italianët në gjysmëfinale arrijnë kur Austria e Kranklit fiton pas 47 vjetësh 3 - 2 kundër RFGJ, ashtu si vetë Argjentina e cila mposht me golavarazh më të mirin Brazilin, pasi ka shpartalluar 6 - 0 Perunë në një takim që u quajt skandaloz. Arrijmë në finalen Argjentinë - Holandë. Edhe në këtë takim ka më shumë betejë se sa art. Goli i Kempesit në minutën e 37-të dëshmon se në fund të fundit ka dhe ndonjë mjeshtër që mund të admirohet. Pritet ndonjë shpërthim tjetër i tangos argjentinase që nis e dëgjohet gjithnjë e më pak në shkallët e stadiumit “River Pleit”, po shikuesit mbeten të akulluar’ kur dhjetë minuta para mbarimit holandezi Poortvilt barazon. Për të dytën herë në historinë e botërorëve kampionati do të përcaktohet në shtesë loje. Argjentinasit e kuptojnë se ky është shansi i tyre i fundit dhe Kempesi në minutën e 104-t shënon golin e dytë. Pastaj vjen goli i Bartonit që i jep goditjen e nokautit skuadrës së portokalltë, e cila si katër vjet të shkuara mbetet e ngushëlluar me vendin e dytë. Argjentina për herë të parë është Kampione e Botës.
1982: Itali-Gjermani 3-1
Kur gjykon se italianët triumfojnë jo vetëm pas 44 vjetësh, por dhe kur në Botërorin spanjoll marrin pjesë për herë të parë jo 16, po 24 skuadra, bindesh se djemtë e Bearxotit me Rosin në krye, kanë të drejtë të krenohen. Në këtë botëror më e privilegjuar është Europa me 13 skuadra, veç Spanjës si vend organizues. Italia barazon të tria ndeshjet në grup dhe kualifikohet në raundin e dytë vetëm prej golavarazhit. Një start me shumë vështirësi për ata që më pas do fitonin trofeun. RF Gjermane, e cila pa shumë telashe lë pas grupin tjetër Argjentinën, Spanjën, e mrekullisht kualifikohet në finale pasi mposht Francën e Platinisë, madje dhe me shtesë loje dhe me 11-metërsh. Në finale ndeshen Italia e Rosit me RFGJ të Rumeniges. Italianët janë në fillim nervozë, aq më tepër që humbasin Gracianin të zëvendësuar pas 7 minutash nga Altobeli. Një takim që nuk premton një finale të denjë. Veç kësaj Kabrini humbet një 11-metërsh. Në ndonjë rast tjetër italianët dhe do të ishin dorëzuar. Po jo në këtë finale. Ne 56’ shënon Rosi, në 69’ dyfishon rezultatin Tardeli pas një aksioni koral dhe në 80’ çimenton fitoren Altobeli. Italia për të tretën herë është Kampione e Botës.
1986: Argjentinë-Gjermani 3-2
Për herë të parë në historinë e futbollit, një vend për të dytën herë mori përsipër të organizonte një Botëror futbolli. Kjo ishte Meksika. Dhe jo sepse paraqiti kandidaturë, po sepse Kolumbia që kishte marrë organizimin e tij, u tërhoq. Të papriturën e parë në Botërorin meksikan e shënoi Italia, kampionia e botës në fuqi, e cila, pasi kishte dalë në çerekfinale, u eliminua lehtësisht nga Franca e Platinisë. Në çerekfinale Argjentina fitoi 2-1 kundër Anglisë, pas golit të parë të shënuar me dorë nga Diego Armando Maradona, i cili u quajt edhe “dora e Zotit”. Pas fitoreve të pastra në gjysmëfinale ndaj Francës e Belgjikës, RFGJ dhe Argjentina u ndodhën në finale. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për argjentinasit, pas golit të Braunit që shfrytëzon një gabim të rëndë të portierit kundërshtar, Shumaker. 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë kur Valdanoja shënoi përsëri, u duk se fitorja e argjentinasve ishte tashmë një aksiomë. Befas gjithçka mund të ishte përmbysur në 14 minutat e fundit, gjatë të cilave gjermano-perëndimoret shënuan dy herë me anë të Rumeniges dhe Fëlerit. Po në tri minutat e fundit shpresat e trajnerit Bekenbauer për fitore i rrëzoi Burrucaga. Kështu Argjentina e Maradonës, pas katër vjetësh, u shpall përsëri kampione e botës.
1990: Gjermani-Argjentinë 1-0
Pas 46 vitesh italianëve ju dha mundësia të organizonin përsëri një botëror futbolli. Më 1934 italianët kishin fituar për herë të parë Kupën në finalen e zhvilluar në Romë. Edhe këtë radhë finalja në Romë do të zhvillohej, në stadiumin “Olimpiko” përpara më shumë se 76 mijë spektatorëve. Në gjysmëfinale Italia u ndesh me Argjentinën kur Maradona me klanin e tij fituan 4-3, sërish me penallti, pasi koha e rregullt e lojës kishte përfunduar në barazim 1-1. Gjermanoperëndimorët, të drejtuar nga Mateusi, në çerekfinale fituan me vështirësi 1-0 kundër Çekosllovakisë e pastaj me llotarinë e 11-metërshave kur Uodelli humbte 11-metershin e tij, duke i mohuar Anglisë kualifikimin për në finale. E tërë bota sportive shprehte keqardhje, sepse një finale shumë më e denjë do të kishte qenë Gjermani Perendimore-Itali. Finalja. Gjithçka u zgjidh 6 minuta para mbarimit te takimit kur gjyqtari meksikan Kodizal “dekretoi” një 11-metërsh në favor të gjermanoperendimorëve, i cili disa sportdashësve iu duk i dyshimtë. Brehme gjuajti saktësisht e portieri Goigocea i specializuar ne pritjet e ketyre gjuajtjeve te rrepta, këtë radhë u shfuqizua. RFGjermane fitoi 1-0, ne nje takim ku nuk mundi të shfaqë potencialin e vet, po të marrim parasysh se para golit ne 63’ nga radhët e argjentinasve u dëbua Manzoni e dy minuta pas golit edhe Dezoti.
1994: Brazil-Itali 0-0 (3-2 me penallti)
Ishte një nga kompeticionet më të bukura që ishin zhvilluar deria na atë kohë. Por u desh finalja zhgënjyese midis Brazilit dhe Italisë për të njollosur gjithçka perfekte që kishin përgatitur amerikanët. Por botërori 1994 do të mbahet mend edhe për dramën e shkaktuar argjentinasin më të famshëm mbi tokë Diego Armando Maradona. “Il pipe” u s’kualifikua direkt pas ndeshjes me Greqinë pasi në trupin e tij u gjetën substanca dopuese. 147 vende të botës morën pjesë në fazën kualifikuese për të marrë pjesë në botëror. Ndërsa bullgarët arritën deri në gjysëmfinale duke eliminuar në ndeshjet çerekfinale as më shumë dhe as më pak se Gjermaninë, kampionia e botës në fuqi. Nga ana tjetër Italia e drejtuar nga Arrigo Saki kishte në gjirin e saj bishtalecin më të famshëm të botës dhe një nga futbollistët idhull i të gjithë të rinjëve të viteve 90-të Roberto Baxhion. Ishte pikërisht goli i tij nga Nigerisë që i dha kualifikimin për në gjysëmfianle Italisë. Pas ndeshjeve gjysëmfinale Brazil – Suedi, dhe Itali – Bullgari, lationo-amerikanë dhe apeninët iu gëzuan finales së famshme të Rose Boël. Ndeshja u karakterizua nga një lojë e mbyllur ku skuadrat ruheshin më shumë të mos pësonin se sa të shënonin në portat kundërshtare. Pas 120 minutash loje gjithçka ishte në baraspeshë. U deshën gjuajtej e penalltive. Dhe kur atëherë më shumë se kurrë Italia kishte varruar shpresat tek idhulli i vet Roberto Baxhio, pikërisht atëherë ai gabon. Brazili është kampion për të 4-n herë në historinë e Kupës së Botës.
1998: Francë-Brazi 3-0
Edicioni i 16-të i Kupës së Botës mbahet mend për pjesëmarrjen e 32 skuadrave nga të gjitha kontinentet. Tetë grupet e ekipeve u shpërndanë në gjitha Francën në dhjetë stadiume modernë, ku si ndeshja e hapjes dhe finalja u zhvilluan në mitikun “Stade de France” të Parisit. Përballjet e 1/8 finale dhuruan një supersfidë, atë midis Anglisë dhe Argjentinës. Gjysmëfinalet. Kroatët mund të quhen padyshim surpriza e këtij botërori. Ishin pikërisht këta të fundit që do të ndesheshin në gjysmëfinale me Francën. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Kroacisë ne Kupën e Botës, pas ndarjes së ish-Jugosllavisë. Heronjtë e Miroslav Blazeviç kishin mundur Gjermaninë 3 - 0. Kishte ardhur ora e zgjimit për francezët dhe ja ku vjen dhe njeriu i fatit Liliam Thuram që zgjedh këtë moment për të shënuar golin e tij të parë dhe të dytë internacional dhe për të arritur një finale të ëndërruar. Finalja. Në finale Brazili ndryshoi ngjyrë. Larg lojërave më të mira latino-amerikanët iu përulën francezëve të cilët të udhëhequr nga Zinedin Zidan fituan për herë të parë në historinë e tyre Kupën e Botës. Dopieta e kapitenit Zidan dhe goli i Turam përmbysën vedheblutë brazilianëë.
2002: Brazil-Gjermani 2-0
Kupa e Botës në Kore dhe Japoni tregoi një futboll në transformim, ku skuadrat e mëdha nuk ishin edhe aq të mëdha dhe skuadrat e vogla treguan se nuk kishin mbetur të vogla. Kështu, përveç Brazilit, që në fund iu gëzua trofeut të pestë të Kupës së Botës, skuadrat e tjera të ashtuquajtura të mëdha dhanë dorëheqjen shumë shpejt nga ky turne. Ra në sy eliminimi që në turin e parë i Francës. Të njëjtin fat ka pasur edhe Argjentina. Braziliani Markos Kafu ishte i vetmi futbollist që kishte marrë pjesë në tri finale radhazi të Kupës së Botës, në SHBA 1994, Francë 1998 dhe Kore-Japoni 2002. Ronaldo u shpall edhe golashënuesi më i mirë i këtij Botërori, me tetë gola, duke marrë edhe çmimin e “Këpucës së Artë”. Humbja 1–0 ndaj Gjermanisë në ndeshjet gjysmëfinale të Japonisë nuk uli aspak entuziazmin e vendësve, të cilët edhe pse kishin humbur kalimin deri në gjysmëfinale, e konsideruan një rezultat historik. Brazili do të gjente përpara sërish Turqinë, që e kishte mundur në ndeshjet e para falë një penalltie shumë të kontestuar të Rivaldos. Por ndeshja mori një rrjedhë krejt ndryshe nga ç’mendonin turqit, të cilët në fund u detyruan të dorëzoheshin përballë Ronaldo & company. Në finale verdheblutë do të prisnin Gjermaninë e Oliver Kahnit. Ky i fundit pas një Botërori pothuajse pozitiv gjunjëzohet para Ronaldos, duke i dhuruar me dorën e tij brazilianit Kupën e Botës. “Seleçao” ngriti për herë të pestë në historinë e vet trofeun botëror...
2006: Italia-Francë 1-1 (5-3 me penallti)
Italia shpallet kampione e botës për të katërtën herë në Berlin më 9 korrik të vitit 2006. Kombëtarja e drejtuar nga Marçelo Lipi i theu të gjitha parashikimet, duke gjunjëzuar vendasit e Gjermanisë në gjysmëfinale dhe francezët e udhëhequr nga Zidani në finale, nga pika e bardhë e penalltive. Në gjysmëfinale, Gjermania dhe Italia dhurojnë 120 minuta spektakli, por golat e Grosos dhe Del Pieros në dy minutat e fundit të shtesës së dytë i dhurojnë ekipit të Lipit finalen. Ndeshja tjetër mes Portugalisë dhe Francës vuloset nga një penallti e Zinedin Zidanit që në pjesën e parë dhe ashtu përfundon.
Italia dhe Franca rigjejnë njëra-tjetrën pas finales së Evropianit të vitit 2000. Por këtë herë të kaltrit do të fitonin, edhe nga pika e 11-metrave madje, nga ku Franca i kishte eliminuar Del Pieron me shokë nga Botërori i vitit 1998, pasi “zbulimi” Groso shënonte penalltinë vendimtare, ndërkohë që Trezege humbte atë për “gjelat”. Ky Botëror nuk mund të mbyllej më turpshëm për Zinedin Zidanin, i cili në minutën e 109-të, godet me kokë Materacin dhe përjashtohet me karton të kuq. Të kaltrit shtojnë edhe një tjetër yll në fanellën e tyre, tashmë 4.
2010: Holandë-Spanjë, 11 korrik 2010
Kur duhen edhe pak më shumë se 72 orë nga finalja e madhe e Botërorit, dy kampet janë entuziaste se kanë një shans të madh që nuk duhet për të hyrë në histori. Kush do ta fitojë finalen? Spanja e yjeve Ksavi, Iniesta e Vija është favoritja në raport me Holandën e Shnajderit, Robenit dhe Kajtit. Holanda eliminoi në çerekfinale rekordmenin absolut, Brazilin e më pas në gjysmëfinale, një tjetër skuadër nga Amerika e Jugut, ndërkohë që Spanja pas eliminoi në çerekfinale Paraguain, ndëshkoi në gjysmëfinale Gjermaninë. Holanda ka qenë dy herë në finale: në vitin 1974 humbi kundër Gjermanisë 2-1 dhe në vitin 1978 humbi me Argjentinën 3-1. Nga ana tjetër, Holanda ka qenë katër herë në gjysmëfinale (1974, 1978, 1988, 2010), ndërkohë që Spanja, për herë të parë midis katër më të mirave ka qenë në vitin 1950 dhe tani në vitin 2010. Në finalen e vogël, për vendin e tretë, do të përballen Gjermania, që e ka diskutuar katër herë këtë finale (3 herë fituese: 1934, 1970, 2006; 1 herë humbëse: 1958) dhe Uruguai, që nga e tij i ka humbur të dy takimet në këtë fazë: 1954 dhe 1970. Në grupin e skuadrave gjysmëfinaliste që kanë diskutuar edhe finalen e vogël janë 24 skuadra.
19 finalet
1930: URUGUAI-Argjentinë 4-2
1934: Cekosllavaki-ITALI 1-2
1938: ITALI-Hungari 4-2
1950 : Brazil-URUGUAI 1-2
1954: RF GJERMANI-Hungari 3-2
1958: BRAZIL-Suedi 5-2
1962: BRAZIL–Çekosllovaki 3-1
1966: ANGLI-Gjermani 4-2
1970: BRAZIL-Itali 4-1
1974: GJERMANI-Holandë 2-1
1978: ARGJENTINË-Holandë 3-1 (pas shtesave)
1982: ITALI-Gjermani 3-1
1986: ARGJENTINË-Gjermani 3-2
1990: GJERMANI-Argjentinë 1-0
1994: BRAZIL-Itali 0-0 (3-2 me penallti)
1998: FRANCË-Brazi 3-0
2002: BRAZIL-Gjermani 2-0
2006: ITALIA-Francë 1-1 (5-3 me penallti)
2010: Holandë-Spanjë, 11 korrik 2010
KAMPIONËT E BOTËS
1930 - Uruguai*
1934 - Italia*
1938 - Italia
1950 - Uruguai
1954 – Gjermania Perëndimore
1958 - Brazili
1962 - Brazili
1966 - Anglia*
1970 - Brazili
1974 - Gjermania Perëndimore*
1978 - Argjentina*
1982 - Italia
1986 - Argjentina
1990 - Gjermania Perëndimore
1994 - Brazili
1998 - Franca*
2002 - Brazili
2006 – Italia
* Kampionet që kanë qenë edhe vende organizatore
FITUESIT SIPAS VENDEVE
Brazili 5 (1958, 1962, 1970, 1994, 2002)
Italia 4 (1934, 1938, 1982, 2006)
Gjermania 3 (1954, 1974, 1990)
Argjentina 2 (1978, 1986)
Uruguai 2 (1930, 1950)
Franca 1 (1998)
Anglia 1 (1966)
FINALISTË TË HUMBUR
Holanda 2 (1974, 1978)
Çekosllovakia 2 (1934, 1962)
Hungaria 2 (1938, 1954)
Suedia 1 (1958)
9 Korrik 2010