Atentat mafioz në mes të kryeqytetit, vritet Franc Konomi
TIRANË – Një atentat tipik mafioz ka tronditur një nga rrugët më të populluara të kryeqytetit pak orë para mesditës. Franc Konomi është qëlluar me një armë automatike nga dy persona, të cilët kanë qëlluar teksa po udhëtonin me motor. 42-vjeçari, me një të kaluar kriminale, nuk ka mundur dot të shkojë as në spital, pasi plumbat kanë qenë vdekjeprurës.
Policia e kryeqytetit reagoi pasditen e së enjtes dhe tha se po heton në lidhje me konfliktet e vjetra që ka pasur viktima. Ky atentat vjen pas një sërë krimesh që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në Tiranë, të cilat kanë krijuar pasiguri te qytetarët. Vetëm tri ditë më parë, Roland Doku u plagos teksa ndodhej në një lokal te zona ku ndodhet Inxhinieria e Ndërtimit.
Atentati
Franc Konomi, i njohur si një nga pjesëtarët e grupit të djemve të Rrugës së Durrësit, ka ndaluar makinën teksa ndodhej fare pranë sheshit “Avni Rustemi”. Ka qenë ora 11:40 kur pranë tij është afruar një motor me dy persona, të cilët ishin të maskuar. Ata kanë nxjerrë armën që kishin me vete, një automatik tip “Kallashnikov”, dhe kanë qëlluar ndaj 42-vjeçarit teksa në vendin e ngjarjes ndodheshin dhjetëra qytetarë. Plumbat kanë qenë fatalë për Konomin, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme.
“Grupi i posaçëm hetimor, mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nga ku kreu të gjitha veprimet e para hetimore e procedurale, duke administruar të gjitha provat, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut Tiranë, Alma Katragjini.
Hetimi
Autorët e ngjarjes janë larguar menjëherë pas kryerjes së këtij krimi me një mjet tip motor. Burimet policore thonë se “grupi hetimor aktualisht po heton në disa pista duke u nisur edhe nga fakti që viktima ka qenë person me precedentë penalë”. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një sërë provash materiale, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Konomi njihet si një nga pjesëtarët e grupit të djemve të Rrugës së Durrësit. Ata kanë pasur vazhdimisht përplasje me të ashtuquajturën “banda e Rrugës Bardhyl”. Gjatë konflikteve para disa vitesh mbeti viktimë Gazmend Muça, i njohur shkurt Gaz Muça. Për këtë krim u shënjestrua si i dyshuar Franc Konomi. Autori i ekzekutuar dje në mënyrë mafioze i ka nisur problemet me Drejtësinë që në vitin 1994. Fillimisht ai është arrestuar nga Policia italiane për llogari të Drejtësisë shqiptare, por pas ekstradimit në Shqipëri u lirua për shkak të mungesës së provave. Prokuroria kishte thuajse një vit që kishte nisur hetimet për Konomin, por nuk arriti që të mblidhte prova për ta vënë në bankën e të akuzuarve për shkak të atentatit që i mori jetën ditën e enjte.
Gjatë muajve të fundit janë rritur ndjeshëm krimet e vrasjes. Vetëm para pak ditësh ndodhen dy atentate në kryeqytet.
Vrasja e babait të 4 fëmijëve për kanalin vaditës, në kërkim autori
SHKODËR – Vrasja në orët e vona të së mërkurës në Dukagjin ka ndodhur pas një konflikti mes fqinjësh për kanalin vaditës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Shkodër zbardhën dje atentatin ndaj shtetasit Ndoc Prroni, 60 vjeç. Sipas burimeve, autori i krimit është shtetasi Gjokë Çukaj, 23 vjeç, lindur dhe banues në Pult, për të cilin u bë shpallja në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tij.
Sipas dëshmive të dhëna dje në komisariatin e policisë, babai i katër fëmijëve ishte thirrur “për një sqarim” nga një banor i fshatit, por sapo ka dalë nga banesa është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Autori i krimit ka përdorur një pistoletë tip “TT”. Prroni dhe Çukaj kanë pasur një konflikt mes tyre gjatë ditëve të fundit në lidhje me shfrytëzimin e kanalit që përdorej për vaditjen e tokave që ishin pranë banesave të tyre. Policia ka zhvilluar disa aksione për kapjen e autorit të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim.
“Në lidhje me ngjarjen në fjalë po kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materiale në ngarkim të shtetasit Gjokë Çukaj pritet t’i kalojnë organit të akuzës pasi ndaj tij rëndon akuza e ‘vrasjes me dashje’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut Shkodër, Fatbardha Çelepia.
Borxhi, arrestohet gruaja që tentoi të vrasë 40-vjeçarin
TIRANË – Nuk i ka kthyer lekët që i kishte dhënë borxh. Kjo e ka detyruar një grua që të qëllojë me armë ndaj tij, por më pas është arrestuar nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetases Sabrije Shkopi, 43 vjeçe, banuese në fshatin Bastar, Tiranë. Të njëjtën ditë dyshohet se për shkak të një borxhi ka qëlluar në ajër me një automatik tip “Kallashnikov”, model 56, të cilën e posedonte pa leje, duke kanosur shtetasin Agim Totri, 40 vjeç, banues në të njëjtin fshat. Dosja në ngarkim të shtetases Shkopi i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë.
Floriri fut në sherr kushërirat, ndërhyn policia
DURRËS – Një sherr mes kushërirave për një unazë të vjedhur ka përfunduar në polici. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të mërkurën nisi hetimi në gjendje të lirë ndaj shtetaseve M. Z., lindur në Tiranë dhe banuese në Lagjen Nr. 8 të qytetit bregdetar dhe M. N., lindur dhe banuese në Tiranë. “Procedimi penal ndaj tyre filloi për arsye këto shtetase janë grindur për motive të dobëta. M. Z. pretendon se i kanë vjedhur një unazë floriri, të cilën më pas e kanë përpunuar dhe e kanë bërë varëse. Pas denoncimit, policia nisi hetimet në gjendje të lirë ndaj kushërirave.
Tre veta në pranga për grabitjen e grekut
TIRANË – Tre persona, të akuzuar për grabitjen e një shtetasi grek disa ditë më parë në rrugën Elbasan-Tiranë, u arrestuan dje nga policia e Tiranës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Kilometri 29” u prangosën shtetasit: Shpëtim Taho, 25 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje automjetesh; Artur Konja, 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Aleksandër Pjetri, 27 vjeç, banues në Lezhë. Sipas burimeve zyrtare, kapja dhe më pas arrestimi i tyre u bë sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur nën kërcënimin e armës automjetin tip “Honda” një shtetasi grek. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se automjeti është shitur prej tyre në qytetin e Lezhës te shtetasi Aleksandër Pjetri, i cili, i ka ndihmuar dhe përkrahur autorët duke u vendosur në dispozicion menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes një automjet tip “Mini Cuper” (që rezultoi i vjedhur), me qëllim që autorët të largohen. Sipas burimeve zyrtare, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua në një servis të ndodhur në segmentin rrugor Lezhë – Laç, automjeti tip “Honda” që iu grabit shtetasit grek. Policia sekuestroi edhe armën me të cilën u bë grabitja.
Materialet hetimore dhe procedurale të përpiluara në ngarkim të tyre pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “vjedhjes me armë” në bashkëpunim, “pastrimi të produkteve të veprës penale”; ndërsa në ngarkim të shtetasit Aleksandër Pjetri do të rëndojë akuza e “armëmbajtjes pa leje” dhe “përvetësim e fshehje të sendeve të vjedhura”.
9 Korrik 2010