E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar mbyll sezonin artistik me sukses



Izaura Ndoj
Teatri Kombëtar ka mbyll sezonin artistik vjeshtë 2009 pranverë 2010. Ky sezon në Teatrin Kombëtar ka qenë i veçantë sepse festoi 65-vjetorin e krijimit si i pari institucion kulturor në vend, ku iu akordua titulli më i lartë për institucionet nga Presidenti i Republikës “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe gjithashtu në këtë vit jubilar u ngjitën në skenë shtatë premiera si dhe tre produksione në bashkëpunim me kompani teatrore, numri më i lartë i veprave të realizuara brenda një sezoni artistik në 20 vitet e fundit. Gjatë një konference për shtyp drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrapi, vuri theksin tek shfaqjet që kanë dhuruar emocione publikut. “Shfaqjet “Darka e gabuar”, “Gjatë personazhe kërkojnë një autor” , “Elektra”, “Virginia wolf” kanë dhënë emocione për publikun dhe janë pritur mjaftë mirë. I pyetur për diferencimet mes 2009 dhe 2010 ai tha se “Duke e krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një rritje më të madhe të numrit të spektatorëve që vërehet tek numri i biletave, por dhe nga si dhe nga numri i veprave të vënë në skenë. Ndërsa sezoni i dytë në Teatrin Kombëtar do të dominoj nga vepra me karakter kombëtar. “Veprat që do të vihen në sezonin e dytë janë 2-3 vepra kombëtare të cilat tashëm janë të miratuara nga bordet përkatëse dhe nga konkurset që janë bërë, kam parasysh konkurset që u bë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe me MTKRS dhe TK, që u shpallë vepra fituese, ka një vepër që është çmimi i parë dhe çmimi i dytë në këtë konkurs dhe është edhe një vepër që është miratuar nga bordi, veç “Darkës së gabuar” ne kemi 3 vepra kombëtare”- pohoi Skrami. Po në kuadër të vitit jubilar shtatë artistë, aktorë dhe regjisorë, iu akorduan medalje të larta nderi nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu këtë sezon Teatri Kombëtar për të nxitur krijuesit shqiptarë ka qënë bashkëorganizator i dy konkurse të dramës shqipe në bashkëpunim me MTKRS dhe MPJ Austri “Të flasim mbi kufijtë”, dhe me rastin e 65 vjetorit të Teatri Kombëtar. Në Teatrin Kombëtar, edhe këtë sezon, është organizuar dhe zhvilluar edicioni V i festivalit të regjisorëve të rinj. Premierat si dhe shfaqjet e repertorit kanë marrë pjesë ne Festivale rajonale dhe ndërkombëtare si dhe kanë dhënë shfaqje në qytetet të vendit tonë si dhe në Evropë. Edhe këtë vit Teatri Kombëtar është vendi ku përkujtohen dhe nderohen jo vetëm artistët e tij më të shquar që nuk jetojnë më, por edhe organizohen promovime botimesh mbi artistët dhe teatrin dhe festohen edhe ditëlindje e përvjetorë.

Shtatë premiera në nëntë muaj

1) “Forca e zakonit”
Premiera e parë u përgatit si një projekt në bashkëpunim me MTKRS dhe MPJ e Austrisë dhe u shfaq si Premiere ne fillim te muajit tetor. Vepra “Forca e zakonit” e dramaturgut më të njohur austriak Thomas Bernhard, përkthyer nga Jonila Godole, u vu në Teatrin Kombëtar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së autorit. Regjisor i shfaqjes është Christian Papke dhe skenograf Alois Galle, artistë të Burg Theater. Në rolet kryesore interpretuan Vasian Lami, Neritan Licaj, Arben Derhemi si dhe balerinët Sueda Hoxha dhe Elton Çefa. Koreografia nga Gjergj Prevazi. Shfaqja është mirëpritur jo vetëm nga spektatori, por edhe nga kritika si një nga premierat më të realizuara jo vetëm si dramaturgji, por edhe për mënyrën e trajtimit nga ana e regjisë duke sjell një trajtim të veçantë në skenë të këtij autori të madh gjermanofolës.

2) “Antigona kërkon të atin”
Premiera e dytë “Antigona kërkon të atin” u përgatit si premierë në bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar dhe regjisorit dhe dramaturgut Mihal Luarasi mbështetur nga MTKRS si një projekt i veçantë. Kjo dramë që i përket teatrit politik është shkruar dhe vënë në skenë nga Mihal Luarasi. Meqenëse vepra i kushtohet një audience të caktuar, të përndjekurve nga dënimi i grupit të naftës, Patos, premiera absolute u shfaq në Teatrin Bylis në Fier ne muajin qershor, dhe ishte kjo vepër që hapi sezonin artistik shtator-dhjetor 2009 të Teatri Kombëtar, duke u shfaqur gjashtë herë. Në rolet kryesore interpretojnë Ina Gjonçi, Gjergj Mena, Edi Luarasi, Ahmet Pasha, Fatos Sela. Autori e ka marrë temën nga ngjarjet tragjike të burgosjes dhe gjyqeve të montuara, ndër të tjera, kundër inxhinierëve dhe drejtuesve të naftës në kohën e diktaturës. Nga titulli dhe emri i protagonistes, Antigonës antike, e cila donte të varroste me dinjitet të vëllain e dënuar pafaj për të mos u varrosur. Publiku shqiptar, në dramën tonë, ka rast të kuptojë, se dymijë vjet më pas, në Shqipëri kanë ndodhur krime të ngjashme, po aq të tmerrshme.

3) “Kush ka frikë nga Virginia woolf”
Premierën e tretë “Kush ka frikë nga Virginia woolf”, e cila u vu në skenë nga një kast artistësh të rinj, por të afirmuar ndërkombëtarë. Kështu regjisori është Kushtrim Bekteshi nga Maqedonia dhe skenografe Lierka Hribar nga Kroacia, të dy artistë të rinj të spikatur që sollën një frymë të re novative. Kjo premierë u shfaq për publikun në muajin dhjetor. Në rolet kryesore interpretojnë Viktor Zhusti, Eva Alikaj, Helidon Fino dhe Eftiola Lacka. Ky është një projekt ambicioz për teatrin, si nga puna për realizimin artistikisht të tij, ashtu dhe nga vlera monetare.

4) "Elektra"
Premiera e katërt "Elektra" tragjedi nga Sofokliu u vu në skenë në muajin mars. “Elektra”, shkruar nga legjendari Grek, tragjediani Sofokli është konsideruar gjerësisht si një nga tragjeditë më të mëdha greke, si një nga perlat e të gjithë kohërave dhe për këtë arsye mbetet pikë referimi që tërheq vëmendjen e grishjen artistike të mjaft krijuesve, kërkuesve, artistëve, regjisorëve.

5) "Gjashtë personazhe kërkojnë autor"
Premiera e pestë u realizua në muajin prill dhe është "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" nga Luigi Pirandello (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo.

6) "Darka e gabuar"
Premiera e gjashte maj 2010 "Darka e gabuar" nga Ismail Kadare,
Dramatizim i Fatos Haxhirajt, kjo dramë u përzgjodh nga bordi drejtues TK si vepra fituese kombëtare. “Darka e Gabuar” është kronikë e ndryshimeve dramatike, përmbysjeve, përjetimeve të dhunshme, tragjikomedisë që kaloi Shqipëria që nga kapitullimi i Italisë, pushtimi gjerman e deri në vdekjen e Stalinit, kohë kur hidheshin themelet e “Rendit të Ri”, komunist. I bazuar në një ngjarje të vërtetë, për të cilën janë dhënë interpretime të ndryshme, Ismail Kadare bën “autopsinë” jo vetëm të qytetit, por sidomos të periudhës historike të fillimit të vendosjes së diktaturës komuniste, këtij mashtrimi të madh, viktimë e të cilit janë në radhë të parë intelektualët.

7) “Koleksioni i përhershëm”
Premiera e shtatë ne TK u vu në skenë në muajin qershor : “Koleksioni i përhershëm” nga Thomas Gibbons

Shfaqje repertori

-“Allegreto Albania”, komedi serioze nga Stefan Çapaliku me regji nga Altin Basha, premierë e vitit 2007, është vënë në skenë në muajin nëntor. Kjo vepër ka përfaqësuar TK në muajin e Kulturës Shqipëri-Kosovë duke dhënë shfaqje në Prishtinë dhe Gjakovë.

-“Të gjithë me Huqe”, komedi prodhim i vitit 2009 u shfaq në muajin shkurt 2010 .

-Mihal Luarasi, ceremoni e organizuar me rastin e promovimit të librit “Gomone” – përmbledhje dramash dhe 80 vjetorit të lindjes, shtator 2009.

-Mihal Popi, “In memoriam” aktivitet kushtuar artistit të popullit me rastin e 100 vjetorit të lindjes, nëntor 2009.
- “Atdheu”, koncert muzikalo-poetik kushtuar Jubileut të Çlirimit të Atdheut, nëntor 2009.
-Drita Pelingu, festimi i ditëlindjes dhe promovim i dokumentarit, mars 2010
-Luftar Paja, promovim i librit kushtuar artistit të mirënjohur
-Edi Luarasi, festim i ditëlindjes, maj 2010
-Shaban Hysa, promemorie

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›