Procesi gjyqësor, SHBA-të shkëmbejnë spiunët rusë
Dhjetë persona të akuzuar si agjentë të Rusisë në Shtetet e Bashkuara kanë dalë ditën e djeshme para një gjykate të Nju Jorkut, ku dhanë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat. Një nga avokatët e të akuzuarës, Ana Çapman tha se çështja mund të zgjidhet shpejt dhe se klientja e tij mund të pranojë një marrëveshje duke pranuar akuzat në shkëmbim të largimit për në vendin e saj. Para kësaj, familja e një shkencëtari rus të burgosur për spiunazh në favor të amerikanëve tha se ai mund të shkëmbehet me personat që akuzohen për spiunazh kundër Shteteve të Bashkuara. Persona të afërt me shkencëtarin Igor Sutyagin thonë se ai është transferuar në Moskë nga një burg në veri të Rusisë dhe se pas kësaj do të dërgohet në Britani. Vëllai i Sutyagin tha se shkëmbimi i agjentëve është ide e Shteteve të Bashkuara. As zyrtarët amerikanë as ata rusë nuk kanë bërë komente. Dy ditë më parë, prokurorët amerikanë ngritën zyrtarisht padinë kundër personave në fjalë duke i akuzuar ata se kishin bërë plane për të vepruar si agjentë të fshehtë. Ata thanë se i dyshuari i 11 ende nuk është kapur. Ai u arrestua në Qipro por u zhduk pas lirimit me kusht. Dje, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov e quajti mjaft pozitive gjendjen e tanishme të marrëdhënieve ruso-amerikane. Ai i bëri komentet gjatë takimit me drejtorin e Kongresit amerikano-hebraik, Mark Stern. “Marrëdhëniet janë mjaft pozitive për mendimin tonë, shembujt pozitivë janë të dukshëm,” tha Lavrov.
9 Korrik 2010