Pritje speciale për presidentin e Hondurasit, kumbarin e Kosovës në Amerikën Qendrore

Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli presin Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa. Ai vlerëson punën e qeverisë shqiptare dhe premton se së shpejti do të vijnë njohje të tjera zyrtare për Kosovën
Kryeministri Sali Berisha priti sot, Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sosa, në krye të delegacioneve respektive zhvilluan bisedime dypalëshe, që u përqendruan në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, inkurajimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit, por edhe në të gjitha fushat me interes, duke shfrytëzuar potencialet që të dyja vendet ofrojnë, si dhe duke finalizuar infrastrukturën ligjore të këtij bashkëpunimi.
Kështu u shpreh Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp pas takimit me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare disa orëshe.
Kryeministri Berisha bëri të ditur se e ka njohur kreun e shtetit të Hondurasit me potencialet që ofron Shqipëria për biznesin e vendit të tij dhe më gjerë.
“E njoha Presidentin me potencialet e mëdha që ka Shqipëria dhe që u ofron investitorëve të Hondurasit dhe investitorëve të huaj në tërësi. Presidenti ka në përbërjen e delegacionit të tij zyrtarë të lartë të vendit mik, Salvadorit, komandantin Ramiro Vaskez. E falënderova shumë komandantin Vaskez për praninë e tij në këtë delegacion dhe shfrytëzova rastin t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta Presidentit dhe qeverisë së Salvadorit për qëndrimin e tyre miqësor ndaj Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në tërësi. Vizita e Presidentit është një vizitë e shkurtër, por intensive, e frytshme dhe shumë e rëndësishme. Dy vendet janë larg njëri-tjetrit gjeografikisht, por liria nuk njeh distanca. Ndaj unë jam i bindur se e ardhmja e vendeve tona, e bashkëpunimit dhe miqësisë është e shkëlqyer”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Berisha vlerësoi gjithashtu qëndrimin miqësor të shtetit të Hondurasit ndaj shqiptarëve në përgjithësi, veçanërisht ndaj Kosovës, duke njohur dhe pavarësinë e saj.
Ndërkohë Presidenti i Hondurasit Porfirio Lobo Sosa, u shpreh se vlerësojmë lart zhvillimet e shpejta në Shqipëri dhe shumë shpejt do të kurorëzohet aspirata që i gjithë populli të jetojë në kushte sa më të mira.
Presidenti Sosa mbështeti gjithashtu reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të zhvillimit ekonomik.
“Ne vlerësojmë punën e bërë nga qeveria e Shqipërisë për zhvillimin e vendit dhe sektorëve që më parë nuk kanë pasur zhvillimin e duhur siç mund të jetë sektori energjetik. Qeveria ka bërë një punë të madhe në këtë fushë”, deklaroi Sosa.
Po ashtu Presidenti Sosa mori angazhimin që në të gjitha aktivitetet e tij ndërkombëtare do të kërkojë njohjen e shtetit të Kosovës.
“Është e vërtetë se jemi të bashkuar në principe e ideale. Mendojmë se sistemi më i mirë që kemi ne qeniet njerëzore është demokracia me atë të drejtë që na jep për të qenë të lirë dhe për të zgjedhur në atë liri që na ofrohet se kush do të na qeverisë”, deklaroi Sosa.
“Jemi në të njëjtën rrugë që Kosova shumë shpejt ata që nuk e kanë njohur të bëjnë njohjen zyrtare të Kosovës. E drejta për të qenë të lirë është e panegociueshme”, tha ai.
Një ditë më parë Presidenti i Hondurasit zhvilloi një vizitë në Kosovë.
Në takimet me autoritetet kosovare, Kreu i shtetit të Hondurasit që pak kohë më parë njohu Kosovën, ka shprehur gatishmërinë e tij që të ndihmojë shtetin e ri në procesin e njohjeve tek vendet e Amerikës Qendrore.