E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatësia vdiq, rroftë privatësia

Këtë titull mban edhe një libër me tirazh mjaft të madh në ditët tona. Autori i tij, Mauro Paissan na sjell ndërmend, se koncepti i privatësisë, që është më i gjerë se sa ai i sigurisë, mund të sakrifikohet vullnetarisht në këmbim të përfitimeve dhe shumë shpesh me rreziqe të veçanta dhe humbje. Në botën e biznesit, për shembull, një person mund t’i servirë të dhënat e veta personale, ndonjëherë për qëllime përfitimi, që të hyjë në ndonjë lojë për t’u kurorëzuar me çmime. Informacioni që ndahet kështu vullnetarisht, më vonë mund të çojë edhe në vjedhjen e identitetit.
Lexuesit mund t’i sillet në vëmendje edhe body scanner – i, shpikja e aplikuar në një sërë aeroportesh të botës, që u jep mundësi kontrollorëve të tyre të shohin gjithçka që kanë me vete pasagjerët. Ose edhe makinerinë e përparuar teknologjikisht që mund të përcaktojë inteligjencën e njeriut dhe marrëdhëniet e tij në orientimet e përgjithshme dhe të veçanta. Nuk mund të harrojmë gjithashtu, se operatorët telefonikë menaxhojnë miliarda informacione personale. As që arkivat elektronike, qofshin këto me të dhëna publike apo private vënë në rrezik të drejtat e njeriut. Ashtu sikurse mungesa e sistemeve të përshtatshme të sigurisë s’është aspak çudi t’u japë mundësi edhe personave të paautorizuar të marrin informacione pa lënë gjurmë. Pa folur pastaj për anonimatin në internet dhe telefonin celular, që në kohën tonë janë aq të vërteta e të frikshme, sa edhe të dobishme e të pashmangshme. E pra, mbrojtja e të dhënave tona personale, që ne e quajmë privatësi, kështu kalon në një tra ekuilibri jo fort të qëndrueshëm.
Ky zhvillim i mirëpritur nga cilido, këto lehtësira e shërbime publike ose private, që duket sikur na e bëjnë jetën më të lehtë, tek e fundit duhet të shoqërohen paralelisht nga një garanci e padiskutueshme, në mënyrë që zhvillimet teknologjike e strategjike, madje edhe ato që garantojnë sigurinë e vetë njerëzve, të mos cënojnë atë që është personale dhe e rezervuar. Prandaj, Parlamenti Europian në tetor të vitit 2008 e vlerësoi jo në përputhje e të papërshtatshme me dinjitetin e personave dhe privatësinë e tyre, atë që u quajt ‘kontroll fizik virtual’, duke theksuar që teknologjitë, edhe ato që mbikëqyrin sigurinë e avionëve, jo vetëm që duhet të jenë në proporcion me objektivat, por duhet të vlerësojnë, gjithashtu, impaktin mbi të drejtat themelore të njeriut.
Ditët e fundit te ne, çështja e privatësisë u ngrit rrufeshëm, por në një mënyrë plotësisht qesharake dhe banale. Ndërkohë që në vendin tonë është bërë zakon që autoritetet shtetërore administrative t’i shkelin më të dyja këmbët shumë nga të drejtat e njeriut. Pa u zgjatur me këto raste, mjafton të përmendim që zëdhënësit e Policisë së Shtetit deklarojnë përpara ekraneve të mediave apo nëpër faqet e shtypit të përditshëm për arrestime dhe fajtorë të atyre që sapo u janë vënë prangat jo në kushte flagrancash dhe kur këta ende janë të prezumuar si të pafajshëm. Apo, kur në spitalin publik të Vlorës mjekët i heqin tjetrit ‘pa dashje’ një organ jetik dhe, fill pas kësaj, Kryeministri mburret për reforma në fushën e shëndetësisë.
Por, në këto radhë fjala është më së shumti për një vendim të çuditshëm të KQZ-së. Tek bëheshin përgatitjet për të ngritur një tym të dendur brigjeve të Lumit Erzen në periferi të Tiranës, duke u vënë flakën fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, katër përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ vendosin që materialet e tjera zgjedhore të atij procesi elektoral të transportohen për në Arkivin e Shtetit, me etikimin si dokumente sekrete. Çka do të thotë që, pas një beteje të ashpër politike prej një viti e gjysmë që ka shpënë në thellim të vazhdueshëm të një krize komplekse në Shqipëri, me pasoja të rënda për sot edhe për mot, organet qeverisëse të dyshuara dhe akuzuara për ilegjitimitet të pushtetit të tyre nisën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e zullumit të madh, duke mos lejuar transparencën e atij procesi të dyshuar si i falsifikuar.
Dhe, si u hodhën këto hapa drejt poplave të Erzenit dhe drejt pluhurave të Arkivit? Me sa kuptohet, nën ritmin e trumbetave detashmentesh, që urdhërojnë ushtarët të marrin me hapa të njëjtë dhe të shpejtë edhe asfaltin e bulevardeve, edhe zallishtet e lumenjve, madje po të jetë nevoja edhe të mbyten në lumë, duke sokëllitur marshe funebre. Edhe vendimet e fundit të KQZ–së të shpejta mund të quhen, përderisa Kodi Zgjedhor në nenin 178/4 parashikon që, edhe në situata normale, edhe për zgjedhje aspak të kontestueshme, KQZ – ja të mbajë një kopje dhe t’ia dërgojë dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Do edhe gjashtë muaj të mbushet ky afat, dhe kjo urgjencë nuk mund të justifikohet me nevojën për kutitë me afrimin e zgjedhjeve lokale. Nuk mund të justifikohet aq më tepër, kur veprime të tilla frenojnë reformën elektorale, madje rrezikojnë mbajtjen e zgjedhjeve të dekretuara për në 8 maj këtij viti.
Mirë, por a mund të ndërmarrë KQZ urgjenca të tilla, madje edhe në raste të zakonshme, pa u bazuar në ligj dhe në mungesë të një prej titullarëve të tij? Kodi Zgjedhor, në pikën 3 të nenit 20 i nëntitulluar “Kompetencat e Kryetarit dhe Zëvendëskryetarit të KQZ–së”, midis të tjerash thekson: “Të gjitha aktet e nxjerra në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga Zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme”. Atëherë? Pa një shkresë zyrtare shoqëruese, të rregullt ligjërisht, a mund të dërgohen dokumentet zgjedhore në Arkivin e Shtetit, sikur të qenë ato të ambalazhuara në thasë mbeturinash?! Ja në çfarë situate është katandisur gjendja, kur asgjë nuk mund t’i nënshtrohet në Shqipëri rrjedhës së normalitetit, pa zgjidhur krizën politike në vend!
Dhe, ajo që tërheq më tepër vëmendjen në këtë zallamahi politiko – administrative është pa dyshim kërkesa e anëtarëve maxhoritarë të KQZ–së, sipas të cilëve, depozitimi i dokumenteve zgjedhore në Arkiv të bëhet nën siglën e materialeve të kualifikuara si sekret. Kur dihet që listat zgjedhore kanë qenë të afishuara publikisht dhe prandaj do të ishte edhe qesharake të visheshin ato tani me mister. Por, nëse Kryetari i KQZ – së arriti më së fundmi të tërhiqej nga propozimi për këto lista, kurrsesi nuk mund të justifikohet pretendimi i tij dhe i tre kolegëve të vet për proces – verbalet e votimit, që këto të depozitohen si sekrete, ngaqë përmbajnë të dhëna personale. Por, a nuk i dinin këto të dhëna anëtarët e komisioneve zgjedhore në qindra e qindra qendra votimi?! A nuk duhet të paraqitësh në një Bankë kartën e kreditit apo pasaportën, për të kryer një veprim të thjeshtë financiar?! Madje, a nuk kërkohet të paraqitësh këto dokumente identiteti, për të hyrë në një zyrë publike, apo për të tërhequr një pako në njësitë e Albpostës etj, etj?!
Pa u ndalur te pyetja nëse KQZ ka apo jo plotësisht të drejtë që të klasifikojë dokumentet zyrtare, mund të thuhet që e drejta e privatësisë garantohet në Shqipëri, përveçse nga disa akte ndërkombëtare dhe nga Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ku na u mbështetka Kryetari i KQZ – së në arsyetimet groteske të tij, më së pari edhe nga disa dispozita kushtetuese, që renditen në Pjesën e Dytë të Ligjit tonë Themelor, nën emërtimin e përgjithshëm “Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut”. Pikërisht ndërmjet këtij listimi, konkretisht në nenin 35/4 parashihet që “Kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin”. Duke mësuar nga hetimet e procesit zgjedhor vetëm të fshatit Ruzhdije, se ishin falsifikuar shumë firma dhe numra identiteti të emigrantëve, a mund të detyrohen këta që veçse pas 25 vjetësh të kenë të drejtë të verifikojnë të vërtetën rreth vetes së tyre?!
Më tej, në përputhje me përmbajtjen e kësaj dispozite mund t’i referohesh integralisht edhe nenit 45, pika 4 e të cilit jep në mënyrë të prerë dhe të qartë katër karakteristikat e votës: vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Në këtë prizëm dhe në atë të gjitha lirive dhe të të drejtave të tjera vetjake e politike mund të vështrohen grumbullimet e mëdha gjatë vitit të kaluar përpara ndërtesës së Kryeministrisë, ku dhjetëra e dhjetëra mijëra qytetarë të revoltuar mbanin nëpër duar pankarta me të cilat pyetej: “Ku vajti vota ime?”.
Kështu pra, pasi KQZ-ja nën urdhrat politike e joligjore u mohoi këtu e një vit e gjysmë përpara tre anëtarëve të vet të drejtën për të kërkuar rinumërim të votave në disa zona zgjedhore, pasi grumbulloi benzinën për t’ua shtënë me gjyma fletëve të votimit, nisi në Arkiv si dokumente sekrete materialet e tjera zgjedhore, gjoja për të mbrojtur të dhënat personale të votuesve. Domethënë, pasi privatësia ishte shkelmuar e copëtuar, pasi ajo vdiq, u lëshua në vend të vajtimit britma e ngjirur: rroftë privatësia!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›