Ruli: Nano President? Duhet të bindë më parë Ramën
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli është shprehur se, nëse ish-lideri i opozitës, Fatos Nano kërkon të kandidojë për President, duhet të bindë palët politike. Ruli vlerëson kontributin e Fatos Nanos në politikën shqiptare, por ai ngre pyetjen nëse Nano do të jetë figura konsensuale për postin e kreut të shteti. "Krahasuar me ambientin politik shqiptar, me njerëzit që mund të kenë staturën për t'u prezantuar dhe për të kandiduar për një rol kaq të rëndësishëm, z. Nano ka një CV të përputhshme", - thekson Ruli, por vijon ai, "natyrisht z.Nano duhet të ketë një aksion politik, me të cilin duhet të bindë në radhë të parë rreshtimin e tij politik të PS-së, ku do ta ketë të vështirë për shkak të Ramës, i cili ka uzurpuar vullnetin e PS-së". Por, vijon Ruli, "njëkohësisht Nano duhet të bindë dhe Partinë Demokratike dhe partitë e tjerat të koalicionit ose jo, të cilat duhet të pranojnë nëse do të jetë vërtet figura e z. Nano figura më konsensuale".