E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimet, pronarët bono për 80% të vlerës

29/03/2010 Subjektet e shpronësuara do paguajnë me para vetëm 20% të objekteve

Në të gjithë vendin janë 300 komisione që po vlerësojnë objektet shtetërore

Të gjithë pronarët, të cilët duan të blejnë objektet shtetërore që janë ndërtuar mbi pronat e tyre do të mund ti paguajnë ato me bono privatizimi. Ligji i privatizimeve u jep mundësi subjekteve të shpronësuara që të përdorin bonot për deri në 80 për të vlerës së objektit, ndërkohë që pjesa tjetër, pra 20 për qind do të paguhet me para në dorë. Kjo mënyrë parashikon që të favorizojë subjektet e shpronësuara si dhe të ndikojë në rritjen e vlerës së bonove në tregun valutor. Aktualisht, mësohet se janë rreth 300 komisione të ngritura në të gjithë vendin që po merren me vlerësimin e ndërmarrjeve dhe objekteve që do të përfshihen në procesin e privatizimeve. Krahas kësaj pune, të gjitha ministritë janë duke përgatitur listat me asetet e pavëna në eficencë nga institucionet shtetërore, nga të cilat do të dalë edhe lista konkrete me objektet për privatizim. Ministria e parë që e ka dorëzuar këtë listë ka qenë ajo e mbrojtjes, ku janë të paktën 420 objekte që do të privatizohen. Megjithatë, në pritje të plotësimit të kësaj liste, Ministria e Ekonomisë e ka gati listën me 13 ndërmarrje në varësi të saj, të cilat do i nënshtrohen privatizimit 100 për qind. Janë të paktën 100 specialistë që po merren me përgatitjen e listës me objektet shtetërore që do të kalojnë në procesin e privatizimit. Sipas asaj, çka është deklaruar më parë qeveria shqiptare do të heqë dorë nga të gjitha aksionet e mbetura në kompanitë shtetërore, si dhe në ato kompani që tashmë janë në duart e investitorëve privatë. Në përmbushje të kësaj nisme mësohet se brenda këtij muaji fillon puna për privatizimin e aksioneve shtetërore tek Albtelekom, proces i cili do të pasohet edhe me shitjen e aksioneve të mbetura tek ARMO dhe OSSH. Për tu dhënë më tepër informacion të interesuarve që dëshirojnë të hyjnë në privatizime, të gjitha materialet për kompanitë që do të përfshihen në këtë proces do të hidhen në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të jenë të hapura për publikun.

Procedura

Të gjithë pronarët e trojeve mbi të cilët janë ndërtuar objektet që do të përfshihen në procesin e privatizimit kanë të drejtën e parablerjes së tyre, por me një procedurë të re. Tani asnjë prej tyre nuk duhet të depozitojë kërkesë për të fituar këtë të drejtë, por do të jenë Drejtoria e Shitjes dhe Administrimit të Pronës Publike që pasi të marrë informacionin se trualli është me pronar, do tu japin këtyre të fundit mundësinë e parablerjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›