Privatizimi, INSIG për 3 vjet ka rënë nga 20% në 8% të tregut
Kompania publike e sigurimeve INSIG, e cila është pranë privatizimit, ka humbur më shumë se katër pikë përqindje të tregut të sigurimeve, duke thelluar shumë më tepër rënien e pozicionit të saj në treg. Të dhëna nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëjnë me dije se INSIG gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ka regjistruar një numër primesh që kapin një vlerë prej 176 milionë lekësh, ndërsa vitin e kaluar në gjashtë muajt e parë kjo vlerë ishte rreth njëqind milionë lekë më shumë ose 255 milionë lekë. Në përqindje sot INSIG zë rreth 8,1 për qind të tregut, ndërkohë që vitin e kaluar ai zinte 12,7 për qind të tij. Kjo rënie e INSIG ka nisur që para dhjetë vitesh dhe vetëm në tre vitet e fundit pesha e tij në treg ka rënë nga 21 për qind në 8 për qind. Një prej të dhënave më të rëndësishme të rënies së INSIG është edhe fakti që ai në përqindje paguan më shumë dëme sesa kompanitë e tjera. Konkretisht, në vlerë vihet re se INSIG ka paguar 17 për qind të totalit të dëmeve që janë paguar nga të gjitha kompanitë. Kompanitë e mëdha të tregut kanë një peshë në treg që është rreth tri herë më e madhe se sa INSIG. Nuk është e qartë se pse INSIG paguan 17 për qind të totalit të dëmeve, ndërkohë që ka vetëm tetë për qind të tregut, ndërkohë që kompani që kanë 30 për qind të tregut paguajnë njëzet për qind të totalit të dëmeve. A është INSIG kompani më e ndershme apo subjektet që ajo regjistron janë të tilla që kanë risk të madh për t’u dëmtuar. INSIG duket se qëllimisht është rrëzuar në treg deri në tetë për qind, pasi tashmë në procesin e privatizimit asaj do t’i duhet të shitet duke pasur parasysh këtë pozicion. Në anën tjetër, konkurrentët e saj, duket se kanë ditur më mirë të përshtaten në treg, duke shfrytëzuar edhe dobësinë e kësaj kompanie publike. Në vitin 2005, kjo kompani kishte 21 për qind të tregut, në vitin 2006 ajo kishte më shumë se 17 për qind të tregut, vitin e kaluar ajo kishte 12 për qind dhe tashmë ka vetëm 8,1 për qind të tregut. Rënia e pozicionit të kompanisë është reflektuar në të gjitha llojet e sigurimeve që ajo ofron, por më e rëndësishme ajo është në zërin e mjeteve motorike, të cilat zënë edhe pjesën më të madhe (dërrmuese) të të gjithë primeve të tregut. Tashmë në prag privatizimi, kompania do të shesë 61 për qind të aksioneve të saj, do me thënë ajo do të shesë 61 për qind të 8,1 përqindëshit që ajo ka në treg. Pesha që do të shitet zë rreth pesë për qind të vlerës së tregut, çka do të thotë një vlerë e papërfillshme në këtë treg shumë të rëndësishëm.