Pesë mijë lekë për gurin e parë të themelit
Ferdinand Dervishi
Para pak ditësh nuk ishte një lajm që më tërhoqi vëmendjen, kur po shfletoja gazetat. Ishte një listë. Bëhet fjalë për qindra nxënës të kryeqytetit që kishin mbaruar studimet shkëlqyeshëm, me të gjitha notat “10”, të cilët kishin përfituar një shpërblim të vazhdueshëm mujor prej 5 mijë lekësh të rinj, të akorduar nga Bashkia e Tiranës, ose Edi Rama. Edhe pse tashmë është tre vjet i vjetër, ky shembull, nismë, apo qëllim, larguar nga të gjitha lidhjet me politikën, meriton vëmendje dhe përshëndetje Sepse të paktën për mua njeriu që e ka ideuar dhe zbatuar është i pari që, përmidis ecjes me sytë krejt të mbyllur, në të njëjtin drejtim të pa adresë, që na ka marrë trutë, me këtë iniciativë tregon se vazhdon të ndalojë herë pas here për të shkundur kokën e mbledhur mendjen. Është një nga njerëzit që fatmirësisht edhe e ka mundësinë të investohet/investojë për ata, të cilët rreshtohen pas nesh për nga mosha, por që në një të ardhme të afërt do të duhet të marrin në duar frenat e të njëjtës ngrehinë laramane, të shëmtuar, që ne, pa ndjerë pikë krenarie, vazhdojmë ta quajmë shtet. I njëjti veprim me nxënësit që shkëlqejnë në mësime, më solli në mendje një rrëfenjë, që e besoj që nga fëmijëria. Kur një më i rritur më tregonte se si japonezët, pas Luftës së Dytë, për të ringritur fuqinë intelektuale e ekonomike e për rrjedhojë prestigjin e kombit të tyre, dërguan në të gjithë universitetet më në zë të botës nxënësit më të mirë që kishin. Dhe Japonia vërtet që nga kjo kohë rrëfimi e kishte të faktuar supermacinë e kërkuar. Pikërisht tek i njëjti kontingjent adoleshentësh gjendet forca e zhvillimit të kombit tonë. Forca për të tentuar barazinë me kombet e tjerë, nisur nga emergjenca për të ngritur supet në lartësinë e atyre të fqinjëve tanë të ftohtë, paragjykues, madje në ndonjë rast armiqësorë. Menjëherë sapo e konceptova këtë zhvillim në kahun e duhur, krejt padashur e futa veten në mendimet e një adoleshenti të përzgjedhur. …Sikur të kisha këtë moshë, dhe njëkohësisht të kisha merituar shpërblimin përkundër rezultateve të shkëlqyera, patjetër që me të parë emrin në listë do të ndihesha një tjetër njeri. Një ndjenjë që do e krahasoja me çlirimin, vlerësimin e vetes si qytetar i panëpërkëmbur, ndjenjë që e kam përjetuar kur për herë të parë mora një vizë të rregullt hyrjeje për në Greqi. Pasi e kisha provuar tmerrin dhe ndjenjën e kokuljes, duke kaluar nga malet i shoqëruar nga pas prej zërit të plotë të fyerjes, apo gëlbazës së pamerituar për shkak të emrit të kultivuar keq këto vite të fundit: alvanos (shqiptar). I njëjti vlerësim do më bënte të ndihesha krenar mes bashkëmoshatarëve, shoqërisë e familjes. Do ndihesha dikushi, kur të tërhiqja në bankë paratë, apo pagën e shpërblimit për inteligjencën time. Dhe më pozitivja do ishte se mendja ime do të shtyhej, qoftë vetëm për shkak të këtij shpërblimi, te kërkimi i ndërmarrjes së hapave të tjerë për të shtuar, për të përshkallëzuar këtë vlerë të vetes që tashmë monitorohet nga një sistem vlerësues. Për t’u bërë i dobishëm, për të qenë dikushi, që dikur do të vlerësohet sërish, në masë më superiore, pashmangësish për shkak të rritjes. Në këtë kohë, sërish në rrugën e merituar të vlerësimit, përballë një shteti të përgjegjshëm, unë do të ndihesha edhe produkt i tij. Shteti do të gjente tek unë dhe të tjerët si unë, elitën e re, të një tjetër lloj fabrikimi, produkt që barazon lidhjen e ndërsjellë qytetar-shtet, shërbim-vlerësim, vlerë-shpërblim dhe respekt… Sepse realiteti është krejt i shëmtuar dhe shembujt për t’u kopjuar, qoftë pasivisht, nga këta adoleshentë, janë pothuaj të gjithë negativë. Negativë janë këta shembuj nisur nga niveli katastrofik i koeficientit të inteligjencës që rrezatojnë ata që e drejtojnë këtë shtet prej 18 vitesh. Një nivel, në asnjë rast i vlefshëm për të mësuar diçka, përkundër ndikon negativisht. Aq negativisht sa tmerri i fjalorit në sallën e parlamentit. Dhe nëse këtë do ta konsiderojmë majën, atëherë çfarë mbetet për të mësuar nga këta adoleshentë, teksa reflektimi i sjelljes zbret në rrugë, ku kalojmë të gjithë. Për më tepër, të njëjtët, adoleshentët e bankave të shkollave, veç gjetjes së shembujve, në truallin shqiptar kanë probleme edhe në përzgjedhjen e idhujve, ose në rastin më të keq ata shkojnë te krejt të gabuarit. Mua më duket se aktualisht në jetën reale, idhujt “Made in Albania” të adoleshentëve në të shumtën e rasteve janë negativë. Shpesh edhe njësia e përzgjedhjes nuk është më ajo universalja, “vlera e intelektit”, por gati-gati vetëm ajo që quhet “vlerë pasurie materiale”. Madje, rastet e vërtetuar të idhujve rezultojnë të jenë të influencuar edhe nga një tjetër zhvillim negativ. Pasi me kalimin e viteve në vend është kultivuar një mënyrë e gabuar vlerësimi, që si të shtrembër sheh atë që shkon drejt, që nuk di të vjedhë e abuzojë dhe që rrjedhimisht ka xhepin relativisht bosh, ndërkohë që për idhull sheh shembuj të së kundërtës, duke pranuar si model për kopjim edhe ata që mund t’i kenë bërë këto të holla përmes krimit të pastër.
Dy vite më parë, në Vlorë, një adoleshent vrau xhaxhain e vet kambist dhe një ditë më pas, pa i kallur as kufomën nën dhe, me të hollat që i grabiti, bleu një autoveturë “Benz”. Ky është shembulli më i frikshëm i ndryshimit të targetit të modelit apo idhullit për adoleshentët e brezit që do na zëvendësojë. Një ditë më pas me makinën e blerë adoleshenti nisi të bëjë xhiro në lagje. Pse? Për t’u ndjerë qoftë një ditë të jetës së vet i pranuar, i respektuar, i vlerësuar nga pjesa e keqkultivuar e shoqërisë. Sepse shembujt që ai ka pasur idhuj në jetën e vet nuk kanë qenë më shumë se skafistë apo kriminelë të pasur që i kanë fluturuar para hundës me makina të shtrenjta, mundësisht në shoqërinë e ndonjë vajze bukuroshe. Kështu, para se ky rast të provojë degradimin e shoqërisë, apo brezave që aktualisht drejtojnë qoftë shtetin, qoftë një familje të vetme, qoftë vetëm veten e tyre, provon më së miri rëndësinë e nismës 5 mijë lekëshe të Bashkisë së Tiranës. Një nismë, e cila shërben pikësëpari që adoleshenti i shkëlqyer në mësime të ndihet i pranuar, i respektuar, i vlerësuar në këtë rast nga një pjesë e shoqërisë, që i ka shpëtuar keqkultivimit.
Për edukimin e adoleshentëve, edhe pse dikur ka funksionuar me rezultatet e magjisë, nuk bën punë as ideali. Ai i përket të shkuarës, kur punë mbaronte parimi i forcës së ngritur mbi themele shpirtërore. Tashmë gjithçka është ndryshe dhe mirëndërtimi i brezave, duket se ka një lidhje më të fortë me shpërblimin material. Një shpërblimi që në çdo rast, përpara vlerësimit që i bën çdo përfitues adoleshent, qëndron shumë ndryshëm nga ai që ngroh xhepat e një pjese të parellinjve të pamerituar që na rrethojnë. Prandaj të paktën mua shembulli këmbëngulës i Bashkisë së Tiranës me pesë mijë lekëshat për nxënësit e shkëlqyer në mësime, më duket më i godituri për të gjetur udhën e duhur e frenuar kohën që deri tani ka shkuar e humbur. A nuk funksionon kështu edhe edukimi në shtetet më të zhvilluara të botës? Amerikanët shumë pak duhet ta duan Amerikën për ideal. Unë mendoj se amerikanët respektojnë një tjetër lloj idealizmi, atë të një kombi me themele të fortë, të strukturuar ndër shekuj. Të një kombi që shembuj e idhuj ka fabrikuar me shumicë, jo vetëm për vete, në të gjitha kohërat. Pra, ata e duan shtetin e tyre, sepse ai në të gjithë brezat e kultivuar ka vlerësuar të gjithë individualitetet, qoftë duke u mbushur kuletën dhe siguruar një jetë njerëzore. Sigurisht i njëjti shembull, apo e njëjta strategji, duket se është koha të mbërthehet me gozhdë të gjata e të trasha edhe në tokën tonë të keqpunuar, por jo të pabegatë.