E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga monopolet politike, te monopolet familjare

Gazeta “TemA” po boton sot një përzgjedhje nga një debat publik i kryetarit të PD, Sali Berisha, dy javë para fitores së zgjedhjeve të 3 korrikut, ku ai prezanton konceptet e tij për luftën kundër korrupsionit. Në debatin televiziv, drejtuar nga kolegu Sokol Balla, atëherë në “Vizion Plus”, zoti Berisha ka disa koncepte të qarta për rolin e kryeministrit në demontimin e sistemit të korrupsionit dhe idetë e tij për dënimin e politikës klienteliste të ish-kryeministrit, Fatos Nano, me disa biznesmenë, që sipas Berishës kanë dëmtuar realisht të ardhurat fiskale në buxhet dhe kanë çuar në rritjen e monopoleve. Tre vjet më pas, nëse e ridëgjon këtë debat, ngelesh pa tekst duke kuptuar dështimin.

Kryeministri ka premtuar se do të japë shembullin e tij të parë, duke çuar para drejtësisë bashkëpunëtorët e vet dhe, kur e dëgjon këtë pas një beteje maratonë për të mbrojtur mosheqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, të akuzuarit kryesor si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, e kupton sa ngushtë ndjehet sot kryeministri. Ai po ashtu ka premtuar luftë kundër prokurimeve direkte, ndërsa ka bërë dhjetëra të tilla, sidomos dy vitet e para të qeverisjes, ka premtuar moskapje të shtetit, ndërkohë që familja e tij ka kapur shtetin. Rasti flagrant se si ai i doli në mbrojtje mbesës së gruas së tij, Elvana Hana, e cila ka kapur shtetin duke e përdorur buxhetin e institucionit si xhiro për bankën e saj private, ka rritur nepotizmin, duke bërë emërime të rekomanduara nga djali dhe vajza e kryeministrit në ISKSH dhe ka bërë shkelje flagrante në tendera, të bëjnë të kafshosh buzën, kur dëgjon premtimet e kryeministrit. Ka premtuar luftë kundër informalitetit të ndërmarrjeve dhe, kur kujton që një fabrikë e drejtuar nga njerëz të afërt të tij në Gërdec çmontonte predha me 200 punëtorë dhe nuk kishte asnjë të siguruar, të vjen për të qeshur. Por të gjitha këto dhe premtime të tjera të kryeministrit nuk do t’ia vlente t’i analizoje, nëse nuk do shikoje se si aktorët kryesorë që Sali Berisha ka kaluar si klientelë e kryeministrit, tani janë klientelë e familjes së tij. Rasti i “Taçi Oil” është flagrant. Nëse e citojmë fjalë për fjalë kryeministrin, ai ka thënë: “Importi i naftës është 1 milion tonë. Sa zhdoganohet? 250 mijë tonë! Nuk e dimë ne ku shkojnë? Të gjithë e dimë këtë. Por e dimë që e ka Duraku, që seç ka krijuar tani një kompani tjetër, një “Taçi”, “Taçi”, se si quhet, e shoh dhe në televizor unë atë...Ai është një kontrabandist, ai është Duraku me një emër tjetër, është dhëndri i një deputeti të LZHK që na shet votat, ...po le, mos të flas tani më shumë....Trarin e doganës e ngre Duraku me celular, kurse Taçi përdor emrin. Por, po të kalosh 700 mijë tonë naftë kontrabandë, natyrisht s’ke ku i mbledh lekët për shtetin”.

Kjo deklaratë e dalë nga goja e njeriut që dy javë më pas do të bëhej kryeministër, është shumë serioze. Është serioze, se iu referohet shifrave konkrete dhe njerëzve konkretë. Mund të pranojmë se ka lajthitje në shifra, por njerëzit janë po ata. Sot, “Taçi Oil” është blerësja e kompanisë ARMO në Shqipëri, përmes një konsorciumi fiktiv, ku vetëm një kompani që ka dhjetë për qind është serioze, ndërsa të tjerët janë shitës nafte. Ka të dhëna të besueshme nga Ministria e Ekonomisë se në konsultat paraprake të kryeministrit me ta, disa muaj para tenderit ai u ka përmendur shifrën ku mund të arrinte oferta për privatizimin e ARMO-s. Familja e kryeministrit është e lidhur me familjen e biznesmenit që është akuzuar për kontrabandist dhe duket se gjithçka ka ndryshuar opinionin. Unë nuk mund ta paragjykoj zotin Taçi dhe shpresoj që ai të jetë biznesmen i ndershëm. Shpresoj që Berisha t’ia ketë futur kot në vitin 2005, kur ka thënë se ai është trafikant nafte. Por transparenca e procesit, lidhjet e tij familjare, të vendosura pas 3 korrikut me familjen e kryeministrit dhe paracaktimi i fituesit, të lënë të dyshosh se kryeministri, Sali Berisha, është përfshirë në një lobim personal për këtë ankand publik, çka rrëzon gjithë teorinë e tij të dikurshme mbi rolin që duhet të ketë kryeministri në çmontimin e sistemit të korrupsionit.

E njëjta gjë ndodh dhe me një biznesmen tjetër të përmendur në këtë bisedë. Bëhet fjalë për atë që po ndërton tashmë fshatin turistik të Kakomesë. Berisha, siç shihet, ka thënë qartë se ai është pronë e Fatos Nanos. E kuptoj ngarkesën politike të kësaj gënjeshtre, po nuk kuptoj se si Lulëzim Basha, në cilësinë e ministrit të Transporteve, iu ka rekomanduar ndërtuesve amerikanë të “Bechtel”-it të marrin si nënkontraktor pikërisht biznesmenin që po ndërtonte Kakomenë. Nuk kam ndonjë rezervë për këtë biznesmen personalisht, por di që ka dhjetëra firma rrugësh shumë më të mëdha që Basha nuk i afroi në atë rrugë me çmim të lartë dhe di po ashtu se ai është një nga miqtë e parë që zuri, për të cilin shefi i tij politik kishte thënë se është biznesmen fals, pasi pas tij, sipas Berishës, ka qëndruar Fatos Nano. Ky regres i madh moral i kësaj qeverie, i implementuar nga vetë njerëzit më të afërt të Berishës në familjen e tij politike dhe biologjike, është një bilanc i hidhur për të.

Nëse në kohën që qeveriste Ilir Meta, në Shqipëri u instalua një klientelizëm krahinor, dhe në kohën që qeverisi Fatos Nano u instalua një klientelizëm partnerësh të kryeministrit, në qeverisjen e Sali Berishës kemi një monopol familjar, çka është shumë më i shëmtuar, më i rrezikshëm dhe më dëmprurës për ekonominë. Mbi të gjitha është më dëmprurës, pasi biznesmenët që janë bërë të pasur në treg dhe kanë krijuar monopole, janë më të aftë sesa biznesmenët që hyjnë në lojë, se janë pjesë e familjes qeveritare. Këta të fundit të bëjnë gjëmën, pasi mes të tjerash janë dhe të paaftë. Dhe rasti i Gërdecit e dëshmoi atë.

Ajo që mbetet të diskutojmë tashmë është se aktorët kryesorë të favorizuar politikisht prej korrupsionit në Shqipëri, iu kanë mbijetuar ndryshimeve politike duke u kthyer në pagatorë të familjeve në pushtet. Të gjithë emrat që ka akuzuar Berisha si trafikantë apo klientë të pushtetit të kaluar tani janë miq ose klientë të tij. Unë nuk kam ndonjë paragjykim për ta dhe realisht mund të mos jenë ashtu siç i ka quajtur zoti Berisha, por ky i fundit duhet të pranojë së paku faktin që është dorëzuar dhe i tërheq gjithë ato që ka thënë për të korruptuarit dhe korrupsionin. Nuk dihet si ndodhi, por ai është mik dhe mbrojtës i tyre sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›