Privatizimi hap të tjera konflikte për pronësinë e stoqeve
Privatizimi i stoqeve duket se nuk do të kalojë pa përplasje mes privatëve dhe bashkisë. Kështu ka shoqëri private të shumta të licencuara apo jo, që punojnë aktualisht në Zonën D. Dhe në vazhdimësi mes këtyre privatëve ka pasur mosmarrëveshje dhe konflikte për vijat ndarëse të shfrytëzimit të tyre, qoftë edhe atyre të licencuara nga METE. Ndërkohë edhe drejtori i kompanisë koncesionare ruso-austriake Albanian Chrome ACR, Petrit Duva, ka deklaruar në një prononcim për gazetën "Shqip", në lidhje me këtë problem, se një pjesë e stoqeve A dhe B të Zonës D, që i kalojnë në administrim bashkisë, janë pronë e kompanisë së huaj që ai drejton aktualisht. "Nuk e kuptoj, thotë ai, se si METE e ka bërë një përcaktim të tillë, për kalimin total të stoqeve A dhe B nën administrim total nga bashkia, kur një pjesë e tyre është e jona". Ndërkohë, burime afër minierës, konfirmojnë se firma koncesionare, në asnjë rast, sipas kontratës së lidhur në 2001 midis saj dhe shtetit shqiptar, nuk ka pasur objekt të kësaj kontrate stoqet e kromit. Por drejtori Duva thotë se stoqet janë brenda territorit të minierës dhe kuptohet kësisoj se ato janë pronë e minierës. Gjithsesi, do të jenë ditët në vazhdim që do të sqarojnë përfundimisht pronësinë mbi këta stoqe, gjë që detyron METE-n, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje. E nëse stoqet nuk janë pjesë e kontratës koncesionare, ata së bashku me dampën e Fabrikës së Pasurimit të Kromit, do të përbënin resurse mjaft fitimprurëse për banorët e varfër të qytetit minator të Bulqizës.