E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehet në mort festa për një galeri të privatizuar

Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë në një aksident automobilistik, të ndodhur në orët e vona të së dielës aksin rrugor Krastë Martanesh-Bulqizë. Makina tip "Mercedes benz", e drejtuar nga Gazmir Gjoka, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar 300 metra në humnerë. Kanë qenë orët e mbrëmjes vonë të ditës së diel, kur makina ka dalë nga rruga në vendin e quajtur kthesa e Luçanës, mbi fshatin Plani i Bardhë, rreth 3 kilometra larg qytetit të Bulqizës. Si rezultat i këtij aksidenti ka humbur jetën inxhinieri Bajram Bruçi, 48 vjeç, inspektor i Repartit të Inspektimit Shtetëror të Minierave, pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, për pellgun krommbajtës Bulqizë-Batër Martanesh, njëherësh edhe kryetar i degës së PDS-së për rrethin e Bulqizës. Ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi Gazmir Gjoka, 55 vjeç, Skënder Ferra, 50 vjeç dhe Haxhi Kurti, 45 vjeç, janë plagosur rëndë. Burime nga policia bëjnë me dije për "Shqip", se me marrjen e njoftimit për aksidentin, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të Komisariatit të Bulqizës dhe mjaft banorë të këtij qyteti, miq të inxhinierit Bruçi. Viktima dhe tre të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Bulqizës, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, dy nga të plagosurit, Gazmir Gjoka dhe Haxhi Kurti, janë transportuar me ambulancë në Spitalin Ushtarak Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore më të kualifikuar. Sipas mjekut, që ka shoqëruar të plagosurit drejt Tiranës, Rizvan Kazani, të plagosurit kanë rezultuar me politrauma, por vetëm njëri, sipas tij, Haxhi Kurti, të cilin ai vetë e ka shoqëruar për në Tiranë, kishte nevojë të transportohej, pasi kishte dëmtim të kolonës cervikale, C6 dhe C7 dhe paralizë inferiore, ndërsa dy të tjerët, Skënder Ferra dhe drejtuesi i mjetit, Gazmir Gjoka, nuk kishin nevojë, pasi ishin krejt jashtë rrezikut për jetën. Por ka qenë një ndërhyrje e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Pal Dajçi, që ka mundësuar transportin e 55-vjeçarit Gazmir Gjoka drejt Tiranës me një ambulancë të Spitalit të Burrelit, të siguruar prej vetë atij. Ndërsa i plagosuri i tretë, Skënder Ferra po vazhdon të mjekohet në Spitalin e Bulqizës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se të aksidentuarit, kanë qenë në Krastë të Martaneshit, duke festuar, pasi shqiptaro-amerikani Gazmir Gjoka ish-banor i qytetit të Laçit, kishte privatizuar galeri kromi për shfrytëzim, në zonën e Batër-Martaneshit. Pikërisht kur po ktheheshin për në shtëpi, ndodhi edhe aksidenti tragjik që, fatkeqësisht i mori jetën inxhinierit të sigurimit teknik të galerive të kromit, 48- vjeçarit Bajram Bruçi, i cili la tre fëmijë jetimë. Burime nga policia përcaktuar si shkak të këtij aksidenti të rëndë, shpejtësinë tej normave të lejuara dhe pakujdesinë e shoferit, i cili u arrestua dje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›